Një muaj pasi u vra në krye të detyrës, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i dorëzoi familjarëve të inspektorit Enea Mekolli medaljen e mirënjohjes.
Vizita u bë në kuadër të 1-vjetorit të djalit të efektivit të vrarë, i cili mori statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”. Hita premtoi se deri në përfundimin e arsimit të lartë, djali i Enea Mekollit do të përfitojë pagën e plotë të babait të tij, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon ligji.
Drejtori i Përgjithshëm i dorëzoi familjes Mekolli edhe një çek simbolik me vlerën 7 milionë lekë, kontribut në shenjë solidariteti për familjen e Dëshmorit.
Enea Mekolli u vra një muaj më parë gjatë një operacioni policor për kapjen e trafikantit Violand Braçellari në fshatin Lozhan të Maliqit. Policia e Korçës u njoftua se një person që kërkohej prej vitesh fshihej në zonën e Lozhanit, teksa gjatë ndërhyrjes për arrestimin e tij, Violand Braçellari hapi zjarr, duke lënë të vdekur efektivin Enea Mekolli dhe të plagosur kolegun e tij, Edison Adri.



