TIRANË- Gjykata Civile e Tiranës vendosi të shtyjë më 11 prill seancën e parë për Princ Lekën dhe Elia Zaharinë, të cilët kanë nisur procesin e divorcit. Në këtë seancë, e cila është dhe seanca e pajtimit, është paraqitur Elia Zaharia bashkë me avokatin e saj Adriatik Bocaj, ndërsa mungonte Princ Leka.
“Gjykata ka vendosur që seanca e parë të mbahet më 11 prill, për shkak se Princ Leka nuk është paraqitur në sancë. Gjykata ka kërkuar të dëgjojë të dyja palët”, raportoi gazetari Ervin Leka.
Siç e parashikon rregullorja, në seancën e parë palët do të pyeten nëse dëshirojnë t’i japin dhe një shans kurorës së tyre, dhe në rast refuzimi, çështja e tyre kalon në seanca gjyqësorë, e cila përfundon më pas me zgjidhje martese.
Princ Leka dhe Elia Zahari pak ditë më parë morën vëmendjen e mediave pasi u përfshin në sherr, duke akuzuar njëri-tjetrin për dhunë.
Një video e publikuar në media tregonte momentet e përplasjes, ku Princ Leka e akuzoi Elia Zaharinë për dhunë bashkë me babain e saj.
Po ashtu palët kanë kërkuar urdhër-mbrojtjeje kundrejt njëri tjetrit, kërkesë e cila është miratuar nga organet përkatëse.
Sakaq, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur dhe një hetim për të zbuluar burimin, i cili ka publikuar pamjet në media./ n.m.abcnews.al