Një urë e zonës së Divjakës, e cila u mundëson më shumë se dy mijë banorëve lidhje me qytetin e Divjakës dhe me rrugën nacionale është shembur. Shkak u bë një betoniere e cila nga pesha e rëndë dëmtoi strukturën e hekurit.
Për të shkuar në Divjakë u duhet të lënë makinat në anën tjetër. Kjo betoniere ua shkatërroi urën e Bicukasit që lidh banorët me zonën.
Banori 1: “Me dy makina. Marrim makina fshati na pret taksixhiu matanë. I kemi, s’i kemi do i marrim borxh”.
Banori 2: “Kjo është një rrugë urgjence. Ne këtë rrugë kemi, s’kemi rrugë tjetër”.
Banori 3: “Nuk ka rrugë tjetër, jemi të bllokuar. Fëmijët e shkollës janë të bllokuar”.
Banori 4: “Jemi të bllokuar. Qumësht, jo. Lakra jo. Nxënësit i dërguam në shkollë, vajza ime shkoi në shkollë dhe erdhi se i ishin njomur këmbët”.
Banorët kanë njoftuar Bashkinë e Divjakës. Dhe sipas zyrtarëve të saj, po kërkohet një mënyrë për ta riparuar urën. Megjithatë këta fshatarë e kanë të vështirë të flasin.
Banori 5: “Më mirë mos të flasim se do thonë i mbledh njerëzit për politikë”.
Ura lidh 6 fshatra, pjesë e njësisë administrative Divjakë. Ajo u shërben dy mijë banorëve dhe është e vetmja lidhje mes Tërbufit dhe Grabjanit, me rrugët nacionale të vendit.
Banori 6: “Që kur është ndërtuar ky kanali nga të burgosurit është shumë e lashtë si urë., ka qenë urë me beton e rregullt. Doli lumi Shkumbin në 2016-n dhe e mori përpara. Në 2016-n erdhi ministria e Mbrojtjes e inauguroi. Ama kjo e kishte afatin për tre muaj, jo për gjithë kohës”.
Në vitin 2016 ishte Ministria e Mbrojtjes që u mundësoi banorëve këtë ure tip bejli. Për shkak se ishte shembur nga përmbytjet e lumit Shkumbin./abcnews.al