Divjakë, krimbi i murrmë shkatërron prodhimet e fermerëve

schedule13:44 - 14 Tetor, 2019

schedule 13:44 - 14 Tetor, 2019

Fermerët në Divjakë janë të shqetësuar nga dëmet që krimbi i murrmë po u shkakton kulturave bujqësore. Edhe pse ata përdorin helme për të shpëtuar bimësinë, pesticidet nuk kanë bërë asnjë efekt.

Kanë dy muaj që luftën me krimbin e murrme e kanë humbur. Asnjë pesticid nuk po jep efektin e duhur. Prodhuesit e perimeve të fushës në Lushnjë dhe Divjakë, janë dorëzuar përballë kësaj situate.

Mbi 5 herë bimët e infektuara janë spërkatur me të gjitha llojet e pesticideve që ka tregu, por efekti ka qenë i padëshiruar. Shumë sipërfaqe toke janë infektuar nga krimbi i murrmë.  Dëmet janë të mëdha, pasi krimbi këput majën e bimës pa u rritur mirë.

Dyshimet janë tek cilësia e helmeve, ndaj prodhuesit kërkojnë ndërhyrjen e specialistëve të bujqësisë.

Prezenca e krimbit të murrmë në këtë masë, nuk kishte ndodhur prej 40 vjetësh. Situata bëhet më e vështirë për faktin se nëse sipërfaqet e prekura nuk e luftojnë infeksionin ai kalon në parcelën ngjitur.

Specialistët e bujqësisë informojnë se prodhuesit nuk këshillohen me agronomet, por drejtohen direkt në farmacitë bujqësore. Këtyre të fundit u intereson shitja e pesticideve të cilët në shumicën e rasteve kanë rezultuar të skaduara. /abcnews.al