Fermerët në Divjakë kanë kohë që nuk mbjellin më fara apo fidanë autoktonë të shalqinit. Por të gjitha serat janë mbjellë me shartime. Fermerët tregojnë pse ata prodhojnë shlaqi të shartuar me kungull.
Shijes së shalqinit nga fidani autokton i thoni lamtumirë. Ky frut më tepër i ngjan një kungulli. Në Divjakë shalqini është shartuar jo vetëm me kungull, por edhe me Poç, një derivat i së njëjtës familje.
Në formë tynelësh, serrat diellore janë mbjellë që prej muajit dhjetor me këto fidanë dhe prodhimi i parë del në fillim të majit. Një teknologji e tillë, sipas prodhuesve kryhet për të luftuar sëmundjet tek bima, dhe për të rritur rendimentin.
“Bëhet për të luftuar sëmundjet dhe jep prodhim më shumë, është dhe rezistent ndaj mikroorganizmave”, thotë një nga fermerët e kësaj zone.
“Ky del në 20-25 maj, sepse është vetëm me pleh organik, këtu pothuajse të gjithë i hedhin shalqinit pleh organik sepse e bën bimën më të bukur dhe më të fuqishme, gjithashtu nuk shpenzon shumë te kimikatet”, shprehet një tjetër.
Përpara viteve 90- të, në treg shalqinin e gjeje në muajin korrik. Sot tregjet mbushen që në 15 Maj. Për specialistët e bujqësisë në Lushnje teknologjia shikohet avantazh për rendimentin.
Pra nëse konsumojmë shalqinj jo shume të ëmbël dhe me ngjyrën e kuqe të fortë, kjo nuk do të thotë se, është një produkt i rritur me stimulantë, por vjen i tille nga shartimi.
Specialisti i Bujqësisë në QTTB Lushnje na tregon se:
“Një shalqi i pashartuar kërkon 5 ose 6 ndërhyrje me spërkatje, për dëmtuesit dhe për sëmundjet, ndërsa një shalqi që kultivohet me shartim, kërkon maksimumi dy ndërhyrje. Nuk kërkon ndërhyrje me pesticide për sëmundjet e rrënjëve, dhe siguron rendiment të bollshëm”.
1070 ha tokë në Divjakë është mbjellë në 2019 vetëm me fidanë të shartuar. Në këtë mënyrë jo vetëm tregu vendas mbushet shpejt por edhe ai në Ballkan përmes eksportit./ABC News Albania 24/7