Nëse iu ndodh të kaloni pranë sheshit “Skënderbej”, në këto ditë të nxehta gushti, mund të afroheni pranë Çadrës së Kujdesit që Bashkia e Tiranës ka ngritur prej disa javësh, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal në këtë stacion për një apel për qytetarët, që të shmangin lëvizjet, sidomos gjatë orëve të pikut. Ai tha se për ata që e kanë të nevojshme të dalin, janë disa pika ku mund të ndalojnë për të pirë ujë dhe për të matur tensionin.
“Jashtë kësaj tende është 40 gradë. Ftesa për të gjithë qytetarët, sidomos ata të moshës së tretë, është të mos dalin nga shtëpia nëse nuk kanë diçka urgjente. Për ata që e kanë të nevojshme të dalin, ne kemi hapur disa pika, – kjo është kryesorja në sheshin “Skënderbej”, – për t’u freskuar pak, për të matur tensionin, për t’u çlodhur në hije, para së të vazhdojnë rrugën. Thirrja është: qëndroni të hidratuar, shmangni daljet e panevojshme, dhe mbani një sy hapur për të dashurit tuaj. Do të doja që të gjithë të tregojmë pak kujdes për njëri-tjetrin. Qyteti i mirë është ai që funksionon si familje”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se në çadrën e kujdesit është menduar edhe për kafshët shtëpiake. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos i braktisin kafshët e tyre në rrugë.
“Më vjen mirë që kemi menduar edhe për katërputroshët. Kemi një thirrje edhe për qytetarët që ikin me pushime: Ju lutem mos i braktisni kafshët! Gushti është muaji më i vështirë për shërbimet veterinare sepse ka shumë njerëz që, për të dalë në fotografi thonë se e kanë kafshën si njeriun e shtëpisë, ama njeriun e shtëpisë ti nuk e lë në shtëpi në gusht, kur ikën me pushime, e merr me vete. Mos e lësho në rrugë. Nuk është e ndershme të blihen kafshë shtëpiake që i trajtojmë si lodra, ndërkohë që janë qenie të gjalla. Së pari, është e paligjshme dhe kriminale, së dyti është jo njerëzore”, theksoi kryebashkiaku./abcnews.al