Ditëlindje çdo 4 vite/ Muaji i brishtë, foshnjat që linden në 29 shkurt

schedule19:31 - 29 Shkurt, 2024

schedule 19:31 - 29 Shkurt, 2024

Xhesika nuk e kishte menduar që fëmijën e saj të parë do ta sillte në jetë me 29 shkurt.

Një problem shëndetësor detyroi mjekët e  spitalit universitar obstretrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë ta fusin në sallën e operacionit.

Diori lindi katër kilogram dhe bashkë me të ëmën gëzojnë shëndet të plotë.

“Jo vetëm me datë 29 jo, por s’ka problem është i veçantë. Një herë në katër vjet.”, ka thënë një prej nënave.

Pyetje: Një herë në katër vjet do t’ja festosh ditëlindjen?

Përgjigje: Jo ja festoj me datë 1.

Shkurti do të ketë 29 ditë  pas katër vitesh, pasi Tokës i duhen 365 ditë e një çerek  të plotësojë rrotullimin e saj rreth Diellit.

Në vitin 2028 orët e mbetura  plotësojnë një ditë, por Diori nuk do të presë   vitin tjetër të brishtë për të marrë dhuratën e ditëlindjes.

“Të gjithë më thonin që data 29 do ta festojë njëherë në katër vjet, por mua s’më bën përshtypje fare, ditë Zoti, njësoj është, s’ka ndonjë gjë”

Amra e zgjodhi vetë ditën e lindjes.

E ëma Seida  nuk  e priste me 29 shkurt,  por  e qara e  saj e parë i shoi çdo shqetësim.

“Nuk e prisja me datë 29”.

Pyetje: Lindje vetë apo me operacion?

Linda vetë..  i kam harruar të gjitha dhimbjet kur doli është një emocion

Por vajza e parë e kësaj familje të re nuk është e vetmja  që  zgjodhi të vijë në jetë më  29 shkurt.

“Deri në mesditë ne kemi 11 lindje të cilat janë kryesisht lindje spontane  vaginale, të paplanifikuara. Vihet re ajo që thoni ju çiftet mbase me të drejtë nuk duan që ta planifikojnë  lindjen e tyre me datë 29, por lindja është  spontane në shumicën e herëve, kështu që ne jemi të bekuar që deri tani kemi shumë lindje. Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” ka numrin më të madh të lindjeve në Republikën e Shqipërisë. Ne kemi  diku tek 6 mijë lindje në vit.”, ka thënë Eliona Demaliaj, drejtoreshë e maternitetit  “Mbretëresha Geraldinë”.

Pavarësisht dëshirës për datën se kur fëmijët e tyre vijnë në jetë në fund  për prindërit diçka tjetër është  më e rëndësishme. Të jenë të shëndetshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!