Gola të bukur janë shënuar gjithmonë dhe në çdo kampionat. Kjo periudhë izolimi i ka bërë të gjithë nostalgjikë dhe Napoli ka hapur arkivat. Faqja zyrtare e klubit italian është rikthyer 26 vite pas. Ishin kohërat kur dueli mes Napolit dhe Milanit në Serie A ishte spektakolar.
Kuqezinjtë ishin kampionët në fuqi dhe kishin humbur vetëm një ndeshje deri në pasditen e 27 marsit të vitit 1994. Skuadra e Capellos përballej me vendasit në një “San Paolo” të tejmbushur dhe ndeshja vulosej nga goli i Paolo Di Canios, më saktë një eurogol.
Sulmuesi i Napolit dhuron magji në krahun e majtë të sulmit, bën çfarë të dojë me dyshen Panucci-Baresi dhe lëshon një predhë drejt portës mike. Topi në rrjetë dhe tifozët napolitanë në ekstazë. Një moment fantastik që nuk i prishi shumë punë Milanit, që ia doli të fitonte titullin dhe Champions League në fund të sezonit, pas fitores së paharrueshme 4-0 kundër Barcelonës në Athinë. /abcnews.al