Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se rastet e fundit të vrasje dhe ato të dhunës në familje tregojnë dosmodoshmërinë për të bërë më shumë për parandalimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave.
“Sot, ne qëndrojmë me popullin e Kosovës në Ditën Kombëtare të zisë, duke nderuar dhe kujtuar viktimat e femicidit dhe të gjitha gratë kosovare që janë viktima të dhunës në familje. Vrasjet dhe aktet e fundit e dhunës në familje nënvizojnë nevojën urgjente për të bërë më shumë për të trajtuar dhe parandaluar të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë shoqëri ku çdo individ mund të jetojë pa frikë dhe pa u lënduar”, ka shkruar Hovenier në platformën X.
Gjithashtu zyrtarë të tjerë të lartë kanë dënuar dhunën ndaj grave, ndërsa kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për të mos u përsëritur më raste të tilla tragjike.
Vetëm brenda pesë ditësh në Kosovë u regjistruan dy raste të vrasjes së grave nga bashkëshorti dhe ish-bashkëshorti i tyre.
Kjo ka tronditur mbarë opinionin publik, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shpalli këtë të mërkurë ditë zie.
/abcnews.al/