Ditë me diell dhe vranësira të lehta, parashikimi i motit për sot

schedule07:10 - 23 Tetor, 2024

schedule 07:10 - 23 Tetor, 2024

Vendi ynë në orët e para të ditës parashikohet të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin, ku vranësira të lehta pritet të ketë vetëm në zonat e thella malore të Shqipërisë. Por parashikohet që pjesa e dytë e ditës t’i bëjë gradualisht më të dukshme vranësirat, të cilat do të shfaqen edhe në qytetet e zonës së ulët.

Ndërsa vija bregdetare në pjesën më të madhe të saj do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Mbrëmja dhe nata vonë i zhvendosin gradualisht vranësirat drejt shtrirjes Lindore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 8°C vlera minimale deri në 27°C maksimalja në rang territori.

Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi Verior – Veriperëndimor; kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.

Kosova

Masat ajrore të qëndrueshme prej disa ditësh dominojnë kushtet atmosferike në Republikën e Kosovës duke bërë që paraditja të jetë nën ndikimin e intervaleve të gjata me kthjellime dhe kalimeve të lehta të vranësirave në zona të izoluara. Por parashikohet që vranësirat të shpeshtohen në pjesën e dytë të ditës duke u shfaqur kryesisht në zonat qendrore dhe lindore të Kosovës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale dhe maksimale duke u luhatur nga 5°C vlera minimale deri në 22°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor

Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut në orët e para të ditës dhe mesditës parashikohet të jetë nën mbizotërimin e intervaleve të gjata me kthjellime, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Jugore. Ndërsa gjatë pasdites dhe orëve të mbrëmjes vranësirat gradualisht do të shfaqen në një pjesë të mirë të territori të Maqedonisë së Veriut, ku më të theksuara vranësirat pritet të jenë në zonat Lindore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat minimale dhe maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 5°C vlera minimale deri në 24°C maksimalja në rang territori. Ndërkohë era do të fryjë e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 28 km/h nga drejtimi Perëndimor.

Europa

Gadishulli Apenin dhe zonat përreth Alpeve të Europës do të jenë nën ndikimin e vranësirave të dendura dhe reshjeve të shiut, të cilat herë pas here do të jenë dhe intensive. Gjithashtu me vranësira dhe reshje shiu parashikohet të jetë Britania e Madhe dhe Lindja e kontinentit, ku reshjet do të jenë dhe në formë rrebeshi. Ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian Paraqitet me mot të qëndrueshëm, ku Europa Veriore dhe qendrore do të jenë me alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash. Po ashtu me masa ajrore të qëndrueshme do të jetë pjesa më e madhe e Pellgut të Mesdheut, ku kthjellimet më të dukshme pritet të jenë në Jugperëndim të Ballkanit./abcnews.al