Kupa e Botës në Rusi do të mbahet mend për të veçantat e saj. Senegali ishte skuadra e radhës që u eleminua, veçse për një arsye që nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Një tjetër ditë historike. Botërori rus pati të veçantën e radhës, pasi për herë të parë në histori një skuadër u eleminua për shkak të kartonëve të verdhë.
Senegali u detyrua të kthehej në shtëpi pas humbjes me Kolumbinë, edhe pse Polonia mundi Japoninë, pasi lojtarët e tij kishin marrë më shumë kartonë të verdhë sesa japonezët.
Dy të verdhë më shumë ishin shkaku që senegalezët u eleminuan, dhe Afrika mbeti pa asnjë skuadër në turin e dytë, për herë të parë që nga viti 1982.
Përballja në stadiumin e Samarës ishte shumë e fortë, dhe u duk se po shkonte drejt barazimit, madje pa gola.
Kolumbia, sidoqoftë, ia doli të fitonte, edhe pse lojtari i saj më i mirë Hames Rodrigez, doli nga loja i dëmtuar.
Mbrojtësi i Barcelonës, Jerri Mina, shënoi rrjetën e vetme në minutën e 74-ët.
Amerikanojugorët nuk është se luajtën mirë në pjesën e parë, ndonëse u duhej fitorja për t’u kualifikuar.
Ishin afrikanët më të rrezikshëm, edhe pse pa krijuar raste shumë të pastër për gol.
Madje, Kolumbisë i erdhi në ndihmë VAR-i, që detyroi gjyqtarin të ndryshonte vendimin e tij për penallti në favor të kundërshtarëve.
Në momentin që Polonia shënoi në ndeshjen tjetër të grupit H, ndaj Japonisë, edhe Senegali, por edhe Kolumbia ishin të kualifikuar, por këtë skenar e prishën kolumbianët.
Shënuan dhe u kualifikuan, ndërsa Senegali mbeti jashtë. /abcnews.al