Ditë “ethesh” në Euro 2020, verdiktet e fundit për Spanjën dhe grupin e “ferrit”

schedule08:36 - 23 Qershor, 2021

schedule 08:36 - 23 Qershor, 2021

Mbrëmjen e djeshme ishin dy “finale” në Euro 2020, por sot do jenë katër të tilla dhe është një nga ditët më “të nxehta” të fazës në grupe. Vendoset gjithçka për Spanjën sot, së cilës i duhet të fitojë me patjetër nëse ka ndërmend të vazhdojë aventurën në këtë kompeticion.

Dy ndeshjet e kaluara ndaj Suedisë dhe Polonisë janë mbyllur në barazim dhe sot ndaj Sllovakisë fitorja është urdhër. Ndeshja luhet në orën 18:00, në Sevilje, ku Spanja ka zhvilluar edhe dy ndeshjet e mëparshme. Beteja tjetër, që nis në të njëjtën orë është ajo mes Suedisë dhe Polonisë.

 

Ky është ndoshta grupi më i komplikuar sepse nuk është vendosur asgjë dhe të gjithë ekipet kanë shanse për të kaluar në fazën e raundit të 16-ave. Ekuacion me disa të panjohura është edhet grupi më i fortë, ai F, në të cilin situata është akoma më e zjarrtë dhe emrat në fushë janë të frikshëm.

Franca luan në Budapest ndaj Portugalisë. Kampionët e Botës thuajse e kanë siguruar kualifikimin tashmë për shkak se kanë 4 pikë, por kërkohet maksimumi ndaj Portugalisë. Kjo e fundit ka 3 pikë dhe humbja sot përkthehet me skualifikim. Nga ana tjetër Gjermania në të njëjtën orë pret Hungarinë në Mynih.

Në dukje detyra është me lehtë për skuadrën Joachim Low, që ka tre pikë dhe përballet me një skuadër me mjaft diferenca në cilësi. Gjithsesi, në Budapest pak ditë më parë shkoi Franca dhe doli me një barazim 1-1. Edhe Hungarisë matematika i jep kualifikimin sot në rast fitoreje. /abcnews.al