Në raftet e një biblioteke të mbushur me blloqe të vjetra, ruhen jo vetëm shënime, por kujtimet e një jetë të tërë. Prej më shumë se gjashtë dekadash, Viktor Selimi i ka besuar kujtimet e tij letrës…
“Që nga viti 1969 shkruaj ditar… më lindi si ide me ruajt kujtimet e mia kudo ku kam shkelur… i mbaja shënimet me data dhe pastaj fillova me ditarin…”
Fillimet e këtij rrugëtimi lidhen me rininë e tij, në kohën kur si student dhe pjesë e aksioneve të rinisë, ndiente nevojën të dokumentonte çdo përjetim.
“Kujtoj vitin 1967… po shkonim në Kamëz… isha drejtues i grupit të vullnetarëve… fillova të mbaj shënime se çfarë bënim… dhe ato shkrime i kam ruajtur të gjitha…”
Që prej asaj kohe, ai nuk e ka ndërprerë asnjëherë këtë zakon. Çdo ngjarje, çdo moment i rëndësishëm ka gjetur vend në faqet e ditarit të tij.
Gjyshja e tij, e cila jetoi mbi një shekull, ishte jo vetëm shtylla e familjes, por edhe një figurë e rëndësishme për komunitetin. Në mungesë të shërbimeve shëndetësore, ajo shërbente si mamì për zonën, duke ndihmuar në lindjen e shumë grave.
“Kujtimet janë të shumta… një nga më të veçantat është gjyshja ime, Bihane… ajo ishte si drejtuese e shtëpisë… një grua e fortë…”
Edhe pse kishte mundësi të ndërtonte një karrierë akademike si pedagog, ai zgjodhi një tjetër rrugë.
“Me kërkuan të qëndroja pedagog… por me iniciativën time shkova në Nikaj-Mërtur… punova si kryeagronom…”
Ditari vijon të jetë shoqëruesi i tij më besnik. Në të, tashmë do të zërë vend edhe kjo intervistë, si një tjetër faqe në historinë e tij personale.


