Ditari i Enver Hoxhës për përplasjen Turqi-Greqi: Po ushtrohet terror, nxjerrim ushtrinë në jug

schedule09:58 - 15 Gusht, 2020

schedule 09:58 - 15 Gusht, 2020

Publikohen dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) ku ndodhet edhe ditari i Enver Hoxhës, mes të tjerash ai ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza duke komentuar gjatë të gjitha ngjarjet e ndodhura në mes Greqisë dhe Turqisë për shkak edhe të konflikteve të ndodhura në ishullin e Qipros të populluar nga dy etnitë përkatëse, (turko-qipriopte dhe greko-qipriote) që nga viti 1963 – ‘64.  Si janë përshkruar nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha ngjarjet e ndodhura nga konflikti në ishullin e Mesdheut, qëndrimi i tij dhe i Tiranës zyrtare lidhur me ato ngjarje, për të cilat ai akuzonte dhe bënte fajtor Moskën zyrtare dhe Wshingtonin. Si dhe frika e tij për një ndërhyrje eventuale ushtarake në Shqipëri, gjë e cila duket se e detyroi Enver Hoxhën që të mbante në gatishmëri luftarake ushtrinë dhe t’u jepte porositë përkatëse shefave më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.

Nga Dashnor Kaloçi

“Diktatura monarko-fashiste u rivendos në Greqi. Pushteti i gjeneralëve fashistë, që ka në krye mbretin Glyksburgi dhe në krah imperializmin amerikan, po rivendos në Greqi terrorin, po mbush me njerëz kampet e tmerrshme të ishujve, ku u torturuan dhe u vranë vite me radhë komunistët dhe ushtarët e ELAS-it dhe të Ushtrisë Demokratike Greke. Fashistët grekë, morën me forcë fuqinë, pse lodra e zgjedhjeve “demokratike” rrezikonte monarkinë dhe interesat imediatë të imperializmit amerikan.

Ky i fundit bën ligjin në Greqi dhe e ka kthyer këtë në bazën e tij kryesore në Mesdhe, nga ku mbikëqyr e mbështet veprimet e veta diversioniste dhe kërcënon të gjithë popujt e pellgut të Mesdheut që nuk i binden. Greqia për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është barku i Evropës dhe ato e kanë mbërthyer Greqinë prej b… dhe e vërtitin nga të duan. Edhe vetë aleatët amerikanë në NATO, si Turqia, Italia etj., nuk tregohen aspak të kënaqur nga ajo që ngjet në Greqi, për arsye se shovinistët monarko-fashistë grekë, do të hedhin vickla megaloideane edhe kundër Turqisë (Qipro), edhe kundër influencës italiane në Mesdhe”.

Kështu shkruante në mes të tjerash udhëheqësi komunist Enver Hoxha në ditarin e tij të datës 10 mars të vitit 1964, lidhur me trazirat që nisën në ishullin e Qipros në Mesdhe, ndërmjet dy etnive, greke dhe turke që popullonin atë vënd që kishte shpallur pavarësinë nga Commonëealthi britanik, duke krijuar Republikën e tij me President, arqipeshkvin grek Makarios i III-të, gjë e cila kishte ardhur pas një marrëveshje midis Londrës, Athinës, Ankarasë, dhe Nikosias, u nënshkrua në po atë vit në Zyrih dhe Londër.

Si nisi konflikti në ishull ndërmjet dy etnive?

Por para se të shohim ato që Enver Hoxha ka shënuar në ditarin e tij, që veç të tjerash vinin edhe për faktin se Shqipëria komuniste kishte vendosur marrdhëniet diplomatike me Republikën Turke në vitin 1957, ndërsa 14 vjet më vonë, në 1971-in, Tirana zyrtare vendosi marrdhëniet diplomatike edhe me shtetin grek, po bëjmë një retrospektivë të zhvillimit të ngjarjeve në ishullin e Qipros. Kështu, ndërsa dhuna ndëretnike ndërmjet dy komuniteteve kryesore përbërëse të ishullit, turko-qipriote, dhe asaj greko-qipriote, kishte filluar që në vitet 1963-’64, forcat ushtarake britanike që kishin pasur ishullin në administrim deri në ditën e shpalljes së pavarësisë, ishin në tërheqje e sipër dhe ato u detyruan që të thërrisnin në ndihmë “Kaskat blu” të OKB-së. Ndërkohë luftimet ndëretnike në ishull do të vazhdonin gjatë dhe ato do të bëheshin gjithnjë e më të ashpra në vitet 1965-‘70, derisa popullsia turke do të detyrohej që të izolohej në një enklavë gjigande në pjesën veriore të ishullit, përkundrejt pjesës jugore të saj e cila dominohej nga trupat greke të Presidentit Makarios. Ndërkohë në këtë periudhë të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, në vitet 60-të, Greqia dhe Turqia, do të përfshiheshin në dy grushte shteti, të cilat do të sillnin në pushtet juntat e kolonelëve, përkatësisht në Turqi në 1960-ën me udhëheqës Cemal Gursel, dhe në Greqi në 1967-ën, me Georgios Papadopoulos.

Tirana zyrtare kundërshton grushtet e shteti si “të nxitura nga amerikanët”, por nuk i ndërpreu marrdhëniet diplomatike. Në vitet 70-të, sërisht ndodhin dy grushte shteti në këto vënde. Kështu në 1971-in, në Turqi, Gursel, rrëzohet nga qeveria civile e Bulent Eçevit, ndërsa në Greqi, në 1973-in, Papadopoulos zëvëndësohet nga Dimitrios Ioannides. Gjatë kësaj kohe, tensioni në Qipro arrin kulmin me përplasje të forta të armatosura midis dy etnive, të cilat donin të mbanin ishullin të bashkuar me shtetet përkatëse. Në vitin 1974, ndodh grushti i shtetit në Qipro, ku arqipeshkvi liberal Makarios, do të zëvëndësohej me forcë nga nacionalisti Nikos Sampson. Nikosia, shpalli “Enosis” (Bashkimin zyrtar me Greqinë). Ndërkohë alarmohet Ankaraja zyrtare, ku Eçevit urdhëron ushtrinë që të qëndrojë në gadishmëri për çdo të papritur në situatën e ishullit. Pas kësaj, në 20 korrik të vitit 1974, forcat ushtarake turke ndërmarrin Operacionin “Atila”, e njohur ndryshe dhe si pushtimi turk i pjesës veriore të ishullit. (Pjesa veriore e ishullin ndahet me një mur të ngjashëm me atë të Berlinit). Ndërkohë që zhvilloheshin këto ngjarje, (gjë të cilën do ta shohim edhe nga shënimet e Enver Hoxhës në ditarët e tij) Tirana zyrtare alarmohet, duke pasur frikën e një ndërhyrjeje amerikane në konfliktin e armatosur në mesdheun lindor.

Po kështu në këtë kohë, forcat ushtarake turke dhe ato greke, arrijnë deri në një prag përplasjeje të armatosur për zonën e diskutuar të Egjeut Lindor, të ishujve dhe zonave naftëmbajtëse ndërmjet Athinës, dhe Ankarasë. Hoxha përpiqet që të luajë një politikë zyrtare luajale ndërmjet dy vëndeme për aq kohë sa mjafton që në pellgun e Ballkanit dhe Mesdheut lindor të mos kishte “ndërhyrje amerikane”. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nga qeveri dhe organizata të ndryshme të botës (duke përfshirë pas 1990-ës dhe Shqipërinë), problemi i ndarjes së Qipros dhe ishujve e territoreve të diskutueshme naftëmbajtëse në Egje ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, duket se ende nuk është zgjidhur, gjë të cilën e tregojnë mësëmiri ngjarjet e ditëve të fundit.

Ditari i Enver Hoxhës me shënime për konfliktin greko-turk

E MARTE

10 MARS 1964

QIPROJA — VATER TRAZIRASH E INTRIGASH

Në Qipro vazhdojnë trazirat, ndërsa populli, qoftë ai grek, qoftë ai turk, vuan. Imperializmi anglez, amerikan, Athina, Ankaraja, Hrushovi, Titoja e të tjerë intrigojnë, spekulojnë mbi këtë çështje.

E PREMTE

28 PRILL 1967

REAKSIONI FASHIST GREK PO MERR FUQINE

Shënime

Diktatura monarko-fashiste u rivendos në Greqi. Pushteti i gjeneralëve fashistë, që ka në krye mbretin Glyksburgi dhe në krah imperializmin amerikan, po rivendos në Greqi terrorin, po mbush me njerëz kampet e tmerrshme të ishujve, ku u torturuan dhe u vranë vite me radhë komunistët dhe ushtarët e ELAS-it dhe të Ushtrisë Demokratike Greke. Fashistët grekë, morën me forcë fuqinë, pse lodra e zgjedhjeve “demokratike” rrezikonte monarkinë dhe interesat imediatë të imperializmit amerikan.

Ky i fundit bën ligjin në Greqi dhe e ka kthyer këtë në bazën e tij kryesore në Mesdhe, nga ku mbikëqyr e mbështet veprimet e veta diversioniste dhe kërcënon të gjithë popujt e pellgut të Mesdheut që nuk i binden. Greqia për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është barku i Evropës dhe ato e kanë mbërthyer Greqinë prej b… dhe e vërtitin nga të duan. Edhe vetë aleatët amerikanë në NATO, si Turqia, Italia etj., nuk tregohen aspak të kënaqur nga ajo që ngjet në Greqi, për arsye se shovinistët monarko-fashistë grekë, do të hedhin vickla megaloideane edhe kundër Turqisë (Qipro), edhe kundër influencës italiane në Mesdhe.

Natyrisht, italianët duan të ruajnë aleancën e “centro sinistrës”, ku socialistët e Nenit dhe të Saragatit nuk mund të pranojnë aq lehtë që neofashistët, të frymëzuar nga monarko-fashistët grekë dhe të inkurajuar nga grushti i tyre, të marrin fuqinë, kështu që qeveria e Moros, tregohet e pakënaqur nga ngjarjet në Greqi. Qeveria italiane, si një qeveri reaksionare, natyrisht mendon si reaksionare. Ajo mendon, se monarko-fashistët grekë do të sulmojnë Shqipërinë siç e sulmoi vëllai i saj Musolini më 1939, kështu që dhe interesat e Italisë borgjeze vihen në rrezik. Këtu ekziston një kontradiktë reale në mes fashizmit italian dhe fashizmit grek nga njëra anë dhe titizmit jugosllav nga ana tjetër.

Por ne llogaritim forcën tonë, organizimin tonë, vendosmërinë tonë, për të mbrojtur çdo pëllëmbë të atdheut tonë socialist. Ne nuk na tremb aspak ç’ngjet në Greqi, por nuk e nënvleftësojmë aspak rrezikun, prandaj kemi marrë të gjitha masat dhe ai që do të na prekë do të thyejë kokën. I dhashë urdhër ushtrisë në Jug, në Veri dhe në Perëndim që të qëndrojë në gatishmëri, vigjilente dhe të shpejtohet çdo punim xhenier për mbrojtjen. Tani për tani nuk ka gjë për t’u alarmuar, pse monarko-fashistët tani nuk dinë ku kanë kokën, kanë hall të konsolidohen brenda, më vonë mund të rifillojnë provokacionet kundër nesh, por ata do të marrin kurdoherë përgjigje të rrufeshme nga ne që do t’u shkatërrojë çdo plan dhe do t’u presë fare oreksin.

Aktualisht monarkot po arrestojnë komunistë, revizionistë, “demokratë” në masë. Agjencitë e lajmeve thonë se janë arrestuar mbi 10.000 veta, në mes të të cilëve dhe Manolis Glezos për të cilin sot, lajmet thonë se u dënua me vdekje. Po të jetë kështu ne duhet të protestojmë, pavarësisht se Glezosi bën pjesë në partinë revizioniste, por njihet si një luftëtar kundër nazifashizmit. Unë e njoh atë personalisht dhe ai u gënjye, si shumë grekë të tjerë, nga revizionistët sovjetikë. Tradhtia e revizionistëve sovjetikë nuk ka anë e fund. Ata internuan, torturuan komunistë të mirë grekë, revizionistë grekë, u këshilluan shokëve të tyre dhe emigrantëve grekë të futen legalisht në Greqi.

Tash të gjithë ata që u futën i rrafshoi Asfalia dhe do t’i’ vrasë, do t’i torturojë, duke përsëritur tragjedinë e tmerrshme të Makronisos. Sidoqoftë, të gjithë revizionistët, titistët janë të shqetësuar, pse ajo që po ngjet në Greqi, tregon disfatën e politikës së tyre, të aleancave, të bashkekzistencës, të marrëdhënieve “miqësore” etj. Vetëm Shqipërinë heroike nuk e luan topi. Politika e drejtë e Partisë së Punës të Shqipërisë shkëlqen. Kontradiktat në mes ujqve do të shtohen, kokën do të hanë me njëri-tjetrin. Shqipërisë nuk kanë ç’i bëjnë, sepse rrugën tonë e ndriçon marksizkm-leninizmi, ai do të triumfojë. Imperializmi amerikan po shton zullumet.

Në Evropë, në Republikën Federale të Gjermanisë, në Spanjë, në Portugali, në Greqi është vendosur diktatura fashiste. Revizionistët modernë, me ata sovjetikë në krye, janë frikësuar dhe frika i ka kthyer në skllevër të imperializmit amerikan dhe të borgjezisë reaksionare evropiane. Ata kërkojnë lëmoshë: bashkekzistencën e tyre paqësore, por kjo bashkekzistencë tradhtare e tyre, kthehet në disfatë ashtu siç e parashikoi Partia jonë. Sidoqoftë, kurdoherë, do të jemi shumë vigjilentë, gjakftohtë, barutin ta mbajmë kurdoherë të thatë, të ecim me guxim në rrugën tonë revolucionare, të fortojmë atdheun tonë socialist, të demaskojmë pa mëshirë imperialistët dhe revizionistët. Armiqtë s’kanë ç’na bëjnë. Po të na ngasin, do të gjejnë vdekjen. Ata e njohin mirë kokën e komunistëve shqiptarë, kokën e popullit heroik shqiptar.

E SHTUNE

20 KORRIK 1974

ZBARKIMI I FORCAVE USHTARAKE TË TURQISE NË QIPRO

Turqia zbarkoi sot forca ushtarake në Qipro. Kuptohet se për këtë u gjet edhe justifikimi: “Për të mbrojtur marrëveshjen e Gjenevës e të Zurihut”. (Turqia është një nga garantët e saj), “për të mbrojtur minoritetin turk nga puçistët grekë që rrëzuan Makariosin”, dhe më në fund, për të mbrojtur gjithë qipriotët, statukuonë, paqen – etj. Plot fjalë të mira, por në realitet, qëllimi ishte të pushtohet Qiproja, e cila është përballë Anadollit dhe hunda e saj drejtohet drejt gjirit të Iskenderunit dhe portit ushtarak Mersin, nga ku nisën forcat e zbarkimit.

Fakt është se popullsia turke e Qipros nuk është trajtuar kurrë mirë nga grekët, ajo vazhdimisht është persekutuar nga qipriotët grekë. Prandaj mund të anojmë nga turqit dhe ne kemi mbajtur anën e tyre, jo pse grekët e megaliidhesë kanë pretendime edhe mbi atdheun tonë, por se e vërteta ashtu qëndron. Kur u stabilizua gjendja në Qipro, edhe pozitat tona ishin për këtë statukuo. Kush e prishi këtë? S’ka asnjë dyshim: Athina e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Anglia.

Athina shoviniste donte me kohë ta aneksonte Qipron, që kur prifti Makarios dhe gjenerali Grivas luftonin për ENOS-in. Edhe Makariosi ishte për ENOS-in, edhe ky prift aventurier, me njëqind flamurë në xhep, ishte kundër turqve, për bashkim me Greqinë, pastaj u bë kundër Athinës, ishte me Anglinë e kundër saj, kjo më në fund e shpëtoi nga thonjtë e ENOS-it, ishte pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pastaj e prishi me to, lejoi bazat e NATO-s në ishull, zuri miqësi me Bashkimin Sovjetik, bëri vizit në Kinë, u puq me Maon dhe me Çian Çinin, hiqesh “i paangazhuar”, por flinte me të tërë. Prift politikan edepsëz.

Natyrisht Athina nuk e duronte dot, prandaj futi në Qipro oficerë dhe ushtarë grekë dhe këta bënë puçe dhe ia ngritën këmbët Makariosit. Pra Greqia e filloi agresionin e para, gjoja nga brenda, për të aneksuar ishullin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëheshin zot i saj, nga frika se mos e zinte vendin Rusia që është e uritur për baza në Mesdhe. Mirëpo Turqia nuk fjeti, as nuk pyeti, as nuk dëgjoi, as nuk u tremb, por e kaloi pengesën e ujit. Të tjerët u gjendën me gisht në gojë. Është mirë për ne që megali-idhesë greke t’i thyhet dhe një herë hunda. Bashkimi Sovjetik flet e bërtet kundër Greqisë se do të aneksojë Qipron.

Po kush flet? Hrushovianët, që me Venizellosin (junior) biseduan për t’i dhënë Greqisë Gjirokastrën dhe Korçën. Kush flet për aneksim? Socialimperialistët sovjetikë që pushtuan Çekosllovakinë, që rrëzuan Dubçek-Makariosin dhe vunë Husak-Samsonin! Por kuptohet pse e bëjnë ata këtë, për t’i bërë qejfin Turqisë, së cilës po i’a prishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia etj. Titushka që hiqet si parimor, edhe ai po bërtet, por do ta shohim deri kur do të bërtasë miku dhe aleati i Turqisë dhe i Greqisë. Për udhëheqjen e Turqisë ai do të thotë një fjalë, siç tha “Për sy e faqe” për pushtimin e Çekosllovakisë.

Të gjitha këto janë lodra të të poshtërve, të të shiturve tek imperialistët amerikanë dhe sovjetikë. Këta që sot janë “miq – të klikave, nesër bëhen armiq të tyre, sot -mbajnë anën e njërit”, nesër gjejnë formula të tjera të diktuara nga dollari, rubla e sterlina. Në OKB bëhen llogje. Në fakt gjërat vendosen jashtë OKB-së. Ç’paturpësi! Në lloj-lloj mbledhjesh lëshohen deklarata, kurse mbi popujt hidhen bomba dhe topa. S’mund të mbash asnjë qëndrim zyrtar në këto situata.

Qëndrimi ynë është vetëm “liri, pavarësi popullit të Qipros, si atij grek dhe atij turk, demokraci të vërtetë”. Por në këto situata asgjë s’mund të arrihet. Që të fitojë revolucioni duhet luftë, luftë akoma e gjatë, e vetë popullit qipriot dhe e të gjithë popujve të tjerë. Luftë kundër dy superfuqive dhe të gjitha agjenturave e klikave të tyre në të gjithë botën. Ne po forcojmë mbrojtjcn tonë, jemi shumë vigjilentë, pse rreziku i një lufte po vjen rrotull në Mesdhe dhe në Ballkan. Në befasi asgjë nuk do të na gjejë dhe, po të vijë rreziku, ne do ta përballojmë me sukses e do të mposhtim çdo agresion.

E MARTE

23 KORRIK 1974

TE RUAJME EKUILIBRIN E DASHAMIRESISE SI NDAJ POPULLIT TURK ASHTU EDHE NDAJ ATIJ GREK

Me shokun Hysni pashë artikullin që kemi përgatitur për ta botuar nesër në gazetën “Zëri i popullit”, lidhur me situatën që është krijuar kohët e fundit në Qipro. Kisha menduar dhe përgatitur disa ide për t’ia shtuar artikullit, pa bërë përsëritje dhe pa krijuar kontradikta, por i lashë. Qëllimi im ishte që të forcojmë opinionin në popullin grek për dashamirësinë tonë në një kohë kur atë të gjithë e sulmojnë. Të forcojmë mendimin, që tashmë është formuar, ndaj politikës sonë të urtë dhe të matur në çështjen e Qipros. Nuk gjeta formulim më të përshtatshëm për këtë problem që ka rëndësi politike, sidomos në lidhje me fqinjën tonë të jugut.

Pavarësisht nga veprimet e shovinizmit grek e turk, ne ruajmë ekuilibrin e dashamirësisë si ndaj popullit të Turqisë, ashtu edhe ndaj atij të Greqisë. Edhe atje ku unë zë në gojë Dubçek-Makariosin e të tjerë, indirekt lë të nënkuptohet se Greqia është fajtore për fillimin e konfliktit. Aty demaskoj, gjithashtu, edhe të gjithë lakenjtë e amerikanëve dhe të sovjetikëve, që nga Titoja, Çaushesku e të tjerë. E keqja në artikull, qëndron në atë se nuk përmendim as sulmin grek të përgatitur me kohë nga klika shoviniste fashiste e Athinës për të realizuar ENOS-in, as sulmin e shovinistëve turq si kundërveprim ndaj sulmit të grekëve. Të dy agresionet në Qipro nuk i përmendim.

Prandaj përfundimisht mendova se është më mirë të qëndrojmë në idetë e përgjithshme që përmban artikulli, pse po të shtojmë idetë e reja që po i radhis këtu, mund të merret edhe sikur ne mbrojmë të dyja qeveritë, turke dhe greke, pavarësisht se flas për popujt turk e grek, për bashkëjetesën paqësore dhe me të drejta të barabarta në një vëllazërim të sinqertë dhe të harmonishëm të të dy komuniteteve të ishullit. Eshtë për të ardhur keq, pse fshihet e vërteta e gjërave dhe kjo bëhet për interesa të veçantë egoistë, për t’i bërë qejfin njërit apo tjetrit shtet të madh, për oportunizëm, për servilizëm dhe nga frika.

E, pra, ne shqiptarët s’kemi pasur dhe s’kemi frikë ta themi haptazi atë që mendojmë. Po sulmohet nga të katër anët populli mik grek. Ne jemi kundër këtyre sulmeve, pse nuk është populli grek fajtor për çka po ndodh, por imperializmi amerikan. Ai, tok me imperializmin anglez dhe me social-imperializmin sovjetik, i kurdisin dhe i nxitin këto intriga. Të tri këto lubi luajnë me fatet e popujve të Mesdheut, të Ballkanit dhe të botës. Që të tria përpiqen kush e kush të hedhë Qipron në dorë, kush e kush t’i hedhë thonjtë Turqisë dhe të pushtojë ngushticat, kush e kush të robërojë popullin grek, për të kaluar më vonë në një konflikt të përgjithshëm. Kjo është e vërteta e madhe. Kundër këtyre imperialistëve dhe social-imperialistëve duhet drejtuar tehu i shpatës dhe jo kundër popujve vëllezër turk dhe grek.

Janë Bashkimi Sovjetik revizionist dhe imperialist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, imperializmi i egër e gjakpirës që shkelin të drejtat sovrane të popujve, që nxitin të grinden e të gjakosen në mes tyre, për t’i rrjepur më mirë e për t’u pirë gjakun. Apo nuk janë të qartë Vietnami, Bangladeshi, Lindja e Mesme, tash Qiproja etj., etj? A mund të harrohen tmerret që ka bërë imperializmi amerikan kundër popujve? Revizionistët e Moskës po sulmojnë me propagandë Greqinë. Dhe kush e bën këtë gjë? Ata që sulmuan dhe pushtuan Çekosllovakinë, që rrëzuan Dubçek-Makariosin dhe vunë në vend të tij Husak-Samsonin. Sovjetikët revizionistë gjoja mbrojnë Turqinë. Kush mund ta hajë këtë gënjeshtër? Asnjeri, ca më pak ne shqiptarët dhe turqit, me të cilët na lidh një miqësi e sinqertë, ashtu siç na lidh edhe me popullin grek.

Ne u themi imperialistëve amerikanë dhe social-imperialistëve sovjetikë: larg duart nga Turqia dhe nga Greqia, i lini të qeta se ato janë në gjendje t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet që kanë lindur në mes tyre, në mirëkuptim dhe në interesin e të dy popujve të tyre, në interesin e paqes botërore. Jeni, ju, imperialistët amerikanë dhe revizionistët social-imperialistë sovjetikë, që i nxitni gjakrat, që shkaktuat gjakderdhjen në Qipro, dhe tash, me siguri do të dilni si “shpëtimtarë të situates”. Që tash kanë filluar t’i thurin lëvdata njëfarë intriganti, që e ka emrin Kisinger; që tash po përhapet fjala se “forca sovjetike” do ta stabilizojë gjendjen. Ne nuk gënjehemi.

Është vullneti i mirë i popujve turk, grek e qipriot, që e ndaluan zjarrin. Dhe ne kemi besim se është vullneti i këtyre popujve, trima e përparimtarë, që do të sjellin paqen në Qipro dhe në mirëkuptim e në drejtësi atje do të vendosen përsëri pavarësia dhe sovraniteti i saj, demokracia, liria dhe bashkekzistenca e vëllazërimi në mes banorëve grekë dhe turq të ishullit. Kjo do të jetë një vepër e madhe e lavdishme dhe do t’u sjellë një të mirë të madhe, veçanërisht popujve të Ballkanit. me fatet e të cilëve kanë luajtur fuqitë e mëdha imperialiste, që i kanë vrarë dhe i kanë pasë armiqësuar me njëri-tjetrin për t’i shtypur më lehtë. Por ato kohë tash kanë perënduar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!