Dita nis me mot të kthjellët, pasditja sjell vranësira në pjesën më të madhe të vendit

schedule07:16 - 26 Tetor, 2024

schedule 07:16 - 26 Tetor, 2024

Qarkullimi i masave ajrore me origjinë perëndimore do të sjellë në territorin shqiptar mbizotërim të motit të kthjellët, por pas mesditës dhe në vijim do të ketë kalim të vranësirave në pjesën më të madhe të territorit, ku më të theksuara do të jenë në zonat malore. Megjithatë vija bregdetare dhe pjesërisht zona e ulët do të vijojnë nën ndikimin e motit të kthjellët.

Temperaturat e ajrit do të mbeten konstante në orët e mëngjesit, por rriten lehtë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 7°C temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 27°C vlera më e lartë e cila do të shënohet përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare me shpejtësi mbi 28 km/h nga drejtimi kryesisht Juglindor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të papërfillshëm.

Kosova

Orët e para të mëngjesit në Kosovë do të jenë nën dominimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta, por pas mesditës dhe në vijim pritet që gradualisht vranësirat të bëhen të dukshme, ku më të theksuara do të jenë në zonat Veriore dhe pjesërisht zonat Juglindore. Parashikohet që mbrëmja dhe nata të shtojnë më tej vranësirat në të gjithë territorin e Kosovës. Temperaturave të ajrit do të vijojnë konstante në vlerat minimale, por rriten maksimumet duke u luhatur nga 4°C vlera minimale deri në 20°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë e lehtë POR herë pas here deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht juglindor.

Maqedonia e Veriut

Gjatë ditës së shtunë Republika e MV do të paraqitet nën ndikimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta në pjesën më të madhe të territorit; kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri vonë pasdite, ku priten vranësira disi më të shumta nëpër të gjithë MV por më të theksuara në zonat përgjatë shtrirjes Lindore por mundësia për reshje është thuajse zero. Për sa i përket temperaturave të ajrit do të mbeten kostante në vlerat minimale por rriten lehtë maksimumet duke luhatur vlerat ditore nga 4°C vlera minimale deri në 23°C vlera maksimale në rang territori. Ndërkohë; Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë deri në 25 km/h nga drejtimi permanent Juglindor.

Europa

Vendet Nordike do të vijojnë nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm me vranësira dhe reshje të dendura shiu, ku herë pas here shirat do të jenë në formë shtrëngate; shoqëruar me stuhi të forta ere. Po ashtu ishujt britanikë dhe jugu i Francës do të jenë nën ndikimin e vranësirave të shumta të cilat herë pas here do të sjellin rrebeshe shiu ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit do të jetë nën dominimin e masave ajrore të qëndrueshme duke sjellë; mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta.