Rrugët e Elbasanit u mbushën me njerëz me rastin e Ditës së Verës, duke u shndërruar në qendrën kryesore të festimeve, aktiviteteve kulturore dhe panaireve tradicionale.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja deklaroi se festa u zhvillua me një program të pasur për çdo grupmoshë, ku koncerte, aktivitete gjithëpërfshirëse.
Sipas tij, në qytet pati shumë vizitorë dhe ekonomia vendase arrin kulmin e saj në ditë feste.
“Kemi filluar me një sërë aktivitetesh. Sheshi kryesor i qytetit është plot tashmë. Do të vazhdojmë me aktivitetet e tjera gjatë pasdites, ku një nga DJ me famë botërore, DJ Regard, do të performojë në sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit. Nuk mbyllet vetëm sot. Edhe nesër do të kemi koncert, është fundjava e Elbasanit dhe kulmon me një sërë aktivitetesh. Edhe në ditën e hënë e në vazhdim, do kemi përsëri tenda dhe aktivitete të ndryshme. Kulmi ishte te panairi i ballokumeve, kur marrin ballokumen, marrin edhe një copë të Elbasanit, të traditës, por edhe të shpirtit të Elbasanit. Ndikon shumë mirë në ekonomi. Ekonomia e qytetit, kulmin e saj e arrin gjatë javës së verës. Lokalet janë të prenotuara gjatë gjithë fundjavës, restorantet gjithashtu. Hotelet në Elbasan, u kemi rekomanduar zonën e Treganit, ku janë llixhat, ka pasur shumë vizitorë. Grupe të trevave të Shqipërisë, grupe nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova kanë ardhur për të ekspozuar rrobat e tyre, këngët dhe vallet e tyre”, theksoi ai./abcnews.al


