Dita e Ujit të Bekuar është festuar në të gjithë vendin nga besimtarët ortodoksë. Të rinjtë edhe pse temperaturat shënojnë nën zero gradë janë futur në ujin e lumenjve apo në det për të kapur kryqin që u sjell fat.
Korça – Kryqi që u hodh në një prej shatërvanëve të qytetit të Korçës u gjet nga 20 vjeçari Ronaldo Kovaci, i cili ishte në grupi e të rinjve që sfiduan temperaturat. Mesha e rastit u mbajt nga mitropoliti i Korçës imzot Johani, kurse ceremonia u ndoq nga qytetarë dhe besimtarë.
Fieri – Në Fier, procesioni nisi në kishën e Shën Gjergjit dhe u mbyll në shatërvanin e madh. Fituesi për të pestin vit radhazi ishte 15 vjeçari Athanas Davidhi. Dita e ujit të bekuar që përkujton pagëzimin e Jezusit në ujrat e Lumit Jordan shoqërohet edhe me marrjen dhe mbajtjen e ujit në shtëpi, që mendohet të jetë kurues dhe frymëzues për besimtarët.
Lushnjë – Dita e Theofanisë u festua dhe nga banorët dhe besimtarët e Kishës së Shën Dhimitrit në Mazhaj në Lushnjë. Në lumin Seman tre të rinj garuan për kryqin, por ishte Bleon Nushi fituesi për të katërtin vit.
Berat – Temperaturat janë nën zero, por në Berat të rinjtë nuk ngurruan të hidheshin në ujërat e lumit Osum për të kapur kryqin. 15 djem u futën brenda sapo Imzot Ignatis kreu ceremoninë e kryqit. 16 vjeçari Kostandin Musha nga lagja Goricë arriti të fitojë.
Vlorë – Në Vlorë tre vetë sfiduan njëri-tjetrin në det për të kapur kryqin. Altin Qirjo i ardhur me pushime nga Gjermania arriti të nxjerrë kryqin në ujërat e Jonit.
Durrësi – E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsakë është një prej kremteve më të mëdha të kishës. Pas ceremonisë ata shkuan në portin e Durrësit aty ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Esi Papajorgji pasi kapi kryqin në ujërat e Adriatikut, uroi besimarët.
Gjirokastër – Në Gjirokastër pas meshës besimtarët u drejtuan në urën e lumit Drino. Tre të rinj sfiduan temperaturat dhe ujin e ftohtë dhe djali nga Arshilengo Haxhi Rexha ia doli ta marrë kryqin. Në këtë mënyrë besimtarët besojnë se viti do të ecë më mbarë.
Ne moshën 30 vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodokse bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. /abcnews.al