Dita e punëtorëve, “festë” jo protestë/ Eksperti i punësimit: Kushtet janë përmirësuar ndjeshëm, por ka ende probleme

schedule14:27 - 1 Maj, 2025

schedule 14:27 - 1 Maj, 2025

TIRANË- Sot është 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ku në të gjithë botën punëtorët kërkojnë të drejta dhe kushte më të mira punë.

Ndërsa në botë nuk mungon reagimi i qytetarëve dhe sindikatave, në Shqipëri 1 maji shihet më shumë si një ditë zyrtare pushimi.

Të paktë ishin qytetaret e mbledhur në sheshin “Nënë Tereza, ku përfaqësues sindikale dhe punëtorë të të sektorëve të ndryshëm kërkuan paga me dinjitoze, respektim te orareve te punës si dhe me shume siguri ne pune.

Eksperti i punësimit Erion Muça i ftuar në emisionin “Money Report” në ABC News tha se në vendin tonë mbetet i ulët reagimi qytetar kur vjen puna tek padrejtësitë, që bëhen mbi punonjësit në sektorët ku ata punojnë.

Ai pohoi se kryesisht në kompanitë dhe sipërmarrjet shqiptare mungon pjesa e shpërblimeve apo bonuseve për punonjësit kur ata arrijnë rezultate në vendin e punës.

“Sindikatat janë të paafta për të angazhuar njerëzit. Kemi neglizhencë dhe indiferencë për padrejtësitë që kemi dhe që na bëhen në vendin e punës. Ka mungesë shpërblimesh dhe bonusesh për rezultatet e arritura në vendin e punës.

Punonjësit kërkojnë sigurinë dhe stabilitetin në punë. Duan që puna të ketë një lidhje sado të vogël me studimet e tyre. Po kërkojnë fleksibilitet në oraret e tyre. Njerëzit po kërkojnë punë më pak se tetë orë”, theksoi ai.

I pyetur nëse janë përmirësuar kushtet e punës gjatë viteve të fundit, eksperti theksoi se pjesa e infrastrukturës ka bërë përparime, por përsëri ka shkelje në Kodin e Punës dhe respektimit të kontratave.

“Kushtet e punës, kryesisht të lidhur me infrastrukturën e punës kanë ardhur duke u përmirësuar, por ka patur probleme në respektimin e kontratave dhe pagesave për oraret shtesë dhe festa zyrtare. ”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!