Dita e Lirisë së Shtypit/ Rama: Duhen veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik

schedule12:49 - 3 Maj, 2024

schedule 12:49 - 3 Maj, 2024

TIRANË- Nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara 3 maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit.

Për këtë datë të shënuar, ka reaguar dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili zgjedh të falënderojë organizatën “Reporterët Pa kufij”, për raportin e hartuar prej tyre sa i takon klimës së medias në gjithë botën.

Me një shkrim në platformën “X”, Rama thekson se qeveria shqiptare do të konsultohet me të gjithë palët dhe do ndërmarrin veprime konkrete për të përmirësuar mjedisin mediatik dhe për të mbrojtur lirinë e informacionit.

“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot dhe dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre depërtues. Ne do ta analizojmë atë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët përkatëse dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Ne jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim globalisht. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në përballjen e kësaj tendence”, shkruan Rama./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!