Bruno Telushi ka konfirmuar largimin nga Partizani, por nuk është i vetmi që e bën diçka të tillë. Edhe mbrojtësi Esin Hakaj e ka mbyllur bashkëpunimin me të kuqtë dhe këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Përshëndetje, sot zyrtarisht nuk jam më lojtar i Partizanit. Dua të falënderoj presidentin, drejtuesit, tifozët dhe shokët e ekipit për mbështetjen. I uroj suksese ekipit te Partizanit”, shkruan mbrojtësi shkodran.
Në dy vite që ai qëndroi te Partizani, gjërat nuk shkuan siç deshi. Dëmtimet e penalizuar, ndërkohë që në kampin e kuq menduan të përshtatin Trashin si mbrojtës të majtë dhe më pas ishte e vështirë të zinte vend.
Hakaj shpresonte të luante rregullisht me Partizanin këtë sezon, por nuk do të ndodhë kështu. Shkdorani kishte edhe një vit kontratë, por sikurse njofton e ka mbyllur me skuadrën kryeqytetase dhe mbetet të shihet se ku do ta vijojë karrierën në vazhdim. /abcnews.al