Dita e drejtësisë/ Begaj: Rezultatet e reformës, të prekshme. Gjyqtarët dhe prokurorët të mbajnë pastër sistemin

schedule10:19 - 10 Maj, 2024

schedule 10:19 - 10 Maj, 2024

Presidenti Bajram Begaj, në një aktivitet në kuadër të Ditës së Drejtësisë, tha se reforma në drejtësi ka dhënë rezultate të prekshme. Kreu i shtetit tha se për herë të parë në dekada, kultura e pandëshkueshmërisë u trondit thellë ndërsa shtoi se gjyqtarët e prokurorët duhet ta mbajnë pastër sistemin.

“Reforma nuk ishte vetëm një ndryshim strukturor, por edhe një angazhim i qartë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të ndërtuar një shoqëri ku sundimi i ligjit është shtyllë kryesore. Ajo erdhi si nevojë e kohës dhe aspiratë e kahershme e qytetarëve tanë për të pasur një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe efektive.

Një drejtësi e tillë është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi. Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet.

Rezultatet e reformës janë të prekshme. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit. Për herë të parë pas shumë dekadash, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë. Kjo duhet përgëzuar dhe mbështetur. “, tha mes të tjerash Begaj.

Fjala e plotë e Presidentit:

Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë kam kënaqësi tju drejtohem ju, organeve të reja të drejtësisë, në veçanti, SPAK dhe GJKKO, për tju treguar mbështetjen për përkushtimin, sakrificat dhe punën me profesionalizëm të lartë.

111 vjet më parë, qeveria e parë e shtetit shqiptar, nën drejtimin e Ismail Qemalit, miratoi “Kanunin e Zhurisë”, një akt i rëndësishëm juridik që shënoi fillimin e përpjekjeve tona për ndërtimin e sistemit të drejtësisë.

Rruga ka qenë e vështirë e misioni hera-herës i pamundur, por ne kemi vijuar dhe sot ndodhemi në një etapë tjetër, ndoshta po kaq të rëndësishme të rrugëtimit tonë.

10 vjet më parë, me mbështetjen e vyer të miqve dhe partnerëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, nisi reforma në drejtësi, e cila është historike për nga rëndësia.

Reforma nuk ishte vetëm një ndryshim strukturor, por edhe një angazhim i qartë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe për të ndërtuar një shoqëri ku sundimi i ligjit është shtyllë kryesore.

Ajo erdhi si nevojë e kohës dhe aspiratë e kahershme e qytetarëve tanë për të pasur një drejtësi të pavarur, të paanshme dhe efektive.

Një drejtësi e tillë është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Standardet janë vendosur brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore që solli reforma në drejtësi.

Çështje parësore tashmë mbetet zbatimi i plotë dhe gjithëpërfshirës i këtyre standardeve me përgjegjësi dhe prioritet.

Rezultatet e reformës janë të prekshme.

Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i fortë perceptimi se drejtësia e ka forcën, kurajën dhe energjinë të punojë, të përballet e të triumfojë kundër krimit.

Për herë të parë pas shumë dekadash, kultura e pandëshkueshmërisë është tronditur thellë. Kjo duhet përgëzuar dhe mbështetur.

Kur flasim për reformën në drejtësi, vëmendja është përqendruar më tepër te procesi i vettingut dhe rezultatet e tij.

Vettingu është padyshim një përbërës shumë i rëndësishëm i reformës, por nuk është e gjithë reforma.

Pastrimi i sistemit të drejtësisë është parakusht për një drejtësi të reformuar.

Po kaq e rëndësishme është edhe ripërtëritja e trupës me gjyqtarë e prokurorë të aftë profesionalisht dhe me integritet të lartë, në mënyrë që sistemi të jetë imun nga ndërhyrjet.

Ne mund të ndërtojmë sisteme e të ndërmarrim reforma të ndryshme, por suksesi garantohet vetëm nëse transformimi tregohet nëpërmjet punës dhe rezultateve të përditshme të trupës së profesionistëve.

Gjyqtarët dhe prokurorët tanë, të cilëve u është besuar ky transformim, duhet të jenë simbol i ndershmërisë dhe drejtësisë.

Ata kanë një përgjegjësi me peshë të madhe për të merituar besimin e shqiptarëve.

Puna e tyre nuk është vetëm një detyrë, por edhe një mision për të garantuar që çdo qytetar të jetë i barabartë përpara ligjit.

Rritja e kapaciteteve profesionale të magjistratëve duhet të jetë në fokus dhe një objektiv afatgjatë e i qëndrueshëm për organet e drejtësisë.

Në këtë drejtim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të punojnë për të garantuar standardet profesionale dhe etike të magjistratëve, për të siguruar një proces të rregullt dhe konkurrues, të ngritur mbi bazën e vlerave e meritës gjatë rekrutimeve, emërimeve apo ngritjeve në detyrë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë kanë rol themelor në procesin e kontrollit të vazhdueshëm të cilësisë së vendimmarrjes, llogaridhënies, eficencës dhe transparencës së punës së magjistratëve.

Së bashku ju garantoni ripërtëritjen e shpejtë të sistemit me magjistratë profesionistë dhe me integritet të lartë.

Në veçanti ju, zonja dhe zotërinj, si drejtues të organeve të drejtësisë, duhet të jeni të vetëdijshëm se drejtësia e re nuk është anonime!

Ajo mban fytyrën, paanësinë, pastërtinë morale dhe ndershmërinë profesionale të secilit prej jush.
Sistemi është juaji. Mbajeni të pastër atë!

Të nderuar të pranishëm,

Procesi i vettingut dhe ristrukturimi i gjykatave pati edhe efektin anësor të ngadalësimit në kohë të dhënies së drejtësisë.

Kalendari i shqyrtimit të çështjeve gjyqësore është i mbingarkuar dhe qytetarët presin për zgjidhje të problemeve, pasi çdo vendim ndikon në jetën dhe besimin që ata kanë te sistemi ynë gjyqësor.

Kjo nuk është vetëm çështje statistikore, por jetike për mbarëvajtjen dhe funksionimin e një shoqërie të drejtë dhe demokratike.

Sigurimi i aksesit të shpejtë dhe efektiv në drejtësi, si dhe garantimi i një procesi të rregullt ligjor, janë të drejta themelore kushtetuese të çdo qytetari.

Nuk duhet të harrojmë se perceptimi i vërtetë i qytetarëve mbi pavarësinë dhe efikasitetin e drejtësisë matet me përvojën personale të gjithsecilit.

Ndaj, pavarësia duhet të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie.

Drejtësia duhet të jetë funksionale në praktikë dhe jo thjesht të parashikohet në instrumente ligjore.

Nëse ju nevojitet ndihma apo mbështetja e institucioneve të tjera për të përmbushur misionin tuaj, mos hezitoni ta kërkoni atë!

Drejtësia nuk është vetëm një koncept ligjor.

Ajo është sigurimi i barazisë së çdo qytetari para ligjit, po aq sa një ideal filozofik dhe moral që duhet të arrihet.

Ritheksoj mbështetjen e plotë për të gjitha organet e drejtësisë dhe magjistratët, për kontributin e tyre të përditshëm në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe interesit publik.

E po ashtu, ritheksoj mbështetjen e plotë, pa asnjë rezerve ndaj Strukturës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe Gjykata e Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO-së për kontributin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

I kuptoj vështirësitë e panumërta, presionin e vazhdueshëm dhe përgjegjësinë e lartë, por kjo është sfida.

Të jeni të sigurt se gjithë shqiptarët ju mbështesin.

Ju faleminderit për vëmendjen! /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!