Irfani dhe Nexhmia kanë 50 vjet së bashku. U martuan kur ishin në të 20-at, e tyre dhe që nga ai moment, çdo ditë te jetës e kanë kaluar pranë njëri tjetrit.
“Jemi martuar me ndërmjetësim pak, por edhe me dëshirën e njëri tjetrit. 50 vite jetën e kemi kaluar shumë mirë, në punë shteti, të arsimuar. Tani jemi në pension. Shyqyr zotit edhe shëndetin e kemi të mirë”, u shpreh Irfani.
“Jemi martuar të rinj, atëherë na e kërkonte jeta”, tha më tej Nexhmia.
Në ditën e të dashuruarve, Irfanin dhe Nexhmien i takuam pranë liqenit artificial, në shëtitjen e zakonshme prej një jete me njëri tjetrin.
Pyetje: Do t’i bëni ndonjë dhuratë zonjës për Shën Valentinin sot apo jo?
“I kam bërë, e kam lënë në shtëpi”, tregon ai.
Pyetje: Çfarë?
“Lule se rroba kemi sa të duash”.
Sot pensionistë, 73 dhe 72 vjeç dhe prindër të tre fëmijëve, thonë se jeta dhe koncepti i dashurisë ka ndryshuar shumë.
“Se kuptoj se martohen, ndahen, ajo prandaj quhet lidhje kunore. Se ajo është kuptimi i jetës, jo si sot. Sot është jeta si e vetmuar, për mendimin tim. Mirëkuptimi me njëri-tjetrin çan gjithçka, se edhe ne na kanë transferuar sa në Fier sa në Burrel. Por e ndërtonim jetën.”
Në këtë 14 shkurt, një tjetër çift Donika dhe Sotiri, na përcjell mesazhe dashurie. Ata u njohën dhe martuan 32 vite më parë.
“Ne si u njohëm rastësisht. Bujqësi kam punuar, burri në ndërtim”.
E ndërtuan jetën së bashku mes vështirësive të Shqipërisë së atyre viteve, duke provuar edhe emigrimin.
Pyetje: Çfarë ju ka mbajtur bashkë këto 32 vite?
“Dashuria mbi të gjitha dhe besnikëria. Probleme kemi pasur sigurisht, por familja të mban”.
Për Donikën dhe Sotirin në ditët e sotme dashuria nuk është si dikur.
“Sot shikojnë më shumë interesin se dashurinë. Por në rininë tuaj si ishte? Ishin të gjithë njëlloj nuk kishte interes. Ne nuk kishim pasuri atëherë as unë as bashkëshorti”.
Në ditën e Shën Valentinit, 58-vjeçarja jep këtë mesazh.
“ Të kenë një dashuri të sinqertë, pa interes. Dhe të dashur gjithmonë!”, thotë ajo.
Tirana u vesh këtë 14 shkurt me të kuqen e dashurisë. Kryeqyteti duket i mbushur me dashuri më shumë së kurrë. Favorizuar edhe nga moti i ngrohtë, të dashuruarit zgjodhën shëtitjet me njëri-tjetrin, duke e memorizuar këtë moment edhe me fotografi pranë dekoreve me zemra të kuqe.