Dita e beqarëve në Kinë, një mundësi për shpenzime dhe blerje marramendëse

schedule15:52 - 10 Nëntor, 2020

schedule 15:52 - 10 Nëntor, 2020

Në 11 nëntor në Kinë shënohet dita e beqarëve, një festë e cila prej vitesh është dhe një mundësi për blerje të çmendura falë dhe uljes së madhe të çmimeve në shumë dyqane. Një vit më parë në këtë ditë u shpenzuan 38.4 miliard dollarë.

Jo rastësisht data ku përsëritet katër herë numri 1, pra 11/11 është simbol i individualitetit.  Këtë vit festivali konsiderohet si një barometër për konsumin në Kinë, e cila gjendet në një fazë rimëkëmbjeje nga pandemia e koronavirusit pas shumë muajsh bllokimi.

Analistët presin që konsumatorët kinezë të shpenzojnë më shumë në prodhime të importuara dhe në firma të huaja luksi, meqenëse shumë turistë kinezë nuk kanë mundësi të dalin jashtë vendit, për shkak të mbylljes dhe kufizimeve për të udhëtuar. Sipas sondazheve të kryera në vend, 86 për qind e konsumatorëve kinezë janë të gatshëm të shpenzojnë të njëjtën shifër si një vit më parë.

Por rritje shënojnë dhe blerjet e produkteve elektronike dhe mjeteve për shëndetin e mirëqenien, pasi shumë njerëz punojnë nga shtëpia dhe i kushtojnë më shumë vëmendje shëndetit të tyre. Ndër të tjera këtë vit, platformat online kanë zgjatur kohën e uljeve që kanë nisur në 21 tetor, tre javë para datës 11 nëntor.

Në ndryshim nga e premtja e zezë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dita e beqarëve në Kinë nuk ka të bëjë vetëm me biznesin. Me miliona klientë marrin pjesë në lojëra dhe kuice onine me shpresën se do të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur.

Ideja për t’i dedikuar beqarëve një ditë vjen nga studentët e universitetit të Nançinos, të cilët menduan një festë ku ndaloheshin çiftet./abcnews.al