Dita e Bashkimit Gjerman, Meta, Rama e Basha nuk “bashkohen”

schedule21:21 - 3 Tetor, 2019

schedule 21:21 - 3 Tetor, 2019

Dita e bashkimit gjerman ka bërë bashkë në mjediset e Ambasadës Gjermane këtu në Tiranë Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Edhe pse kanë përkujtuar një moment historik bashkimi, ata kanë shmangur kontaktet me njëri tjetrin.

3 Tetori, dita e bashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore ka bashkuar në një event në ambasadën gjermane kreun e shtetit Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD Lulzim Basha.

Ndasitë mes tre aktorëve kryesorë politikë në vend u reflektua gjatë pritjes dhe mungesa e kontaktit me njëri tjetrin spikati gjatë ceremonisë.

Presideti Meta mori iniciativën për të përshëndetur kreun e kuvendit Gramoz Ruci, i shoqëruar nga numri dy i socialistëve Taulant Balla.

Pas tyre kryeministri Rama nuk tentoi të afrohej as tek tryeza e Ruçit e as tek ajo e Metës.

As kreu i shtetit nuk reagoi ndaj pranisë së kryeministrit.

Por Meta nuk mbeti gjatë i vetëm në tryezën e tij. Iu bashkua kryetari i PD Lulzim Basha, që gjithashtu nuk bëri asnjë përpjekje për të përshëndetur aktorët e tjerë politikë.

Nisja e ceremonisë me himnin e Shqipërisë i gjeti në të njëjtat pozicione, të ndarë, Ruçin, Metën e Bashën në radhën e parë, në tryeza të veçanta e Ramën pas tyre.

Të gjithë nderuan të ndarë bashkimin e ish-Gjermanisë komuniste me atë demokratike në 3 Tetor 2019./ABC News Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!