Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në Ditën Botërore Kundër SIDA-s, deklaroi se është garantuar terapia e plotë e mjekimit për çdo të prekur me HIV-AIDS.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” Manastirliu shprehet se Shqipëria sipas saj vijon të ketë prevalencë të ulët, ndërsa shton se pavarësisht situatës së vështirë për shkak të COVID-19, synohet garantimi i shërbimit shëndetësor për çdo person që ka nevojë.
Lexo edhe: Bota shënon Ditën e AIDS-it, në kohën e pandemisë së koronavirusit
Manastirliu gjithashtu bën me dije se 667 të prekur po trajtohen falas me terapinë me antiretrovirale.
Statusi:
#DitaBotëroreKundërSIDA-s
Edhe në këtë vit të vështirë, kemi garantuar terapinë e plotë të mjekimit për çdo të prekur me HIV-AIDS, nën kujdesin shembullor të ekipeve tona mjekësore, që nuk e kanë ndalur trajtimin për asnjë moment, pavarësisht situatës së pazakontë të epidemisë.
Shqipëria vijon të ketë prevalencë të ulët, falë përpjekjeve të pareshtura për të mbajtur nën kontroll infeksionin HIV.
Jemi të vendosur të garantojmë shërbimin shëndetësor për këdo që ka nevojë, megjithë situatën e vështirë të epidemisë që po përballon sistemi ynë shëndetësor.
/abcnews.al/