Dita Botërore e Zemrës/ Mjekët e QSUT apel për kontroll qytetarëve mbi 40 vjeç

schedule14:02 - 29 Shtator, 2024

schedule 14:02 - 29 Shtator, 2024

Shumë shqiptarë kanë pak ose aspak kulturë shëndetësore. Shkojnë tek mjeku kur shëndeti iu është rënduar. Në ditën botërore të  zemrës shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare  “Nënë Tereza”, Altin Veshti tregon rastin e një 45 vjeçari dhe bën thirrje për kontrolle mjekësore.

“Këtë javë që kaloi unë operova një djalë 45 vjeç. Kishte aortë të dilatuar 6 cm, pra erdhi me aortë të çarë, nëqoftë se ky person do kishte ardhur një javë para do e kishim operuar në gjendje shumë më të mirë, jo me rrezikun e lartë që e operuam. Operacioni shkoi mirë, por ishte drejt vdekjes të papritur. Ky është një rast këmbanë që bie, që njerëzit duhet të bëjnë vizita, një analizë gjaku  dhe vizitë zemre”. 

Kapja në kohë e problemit shmang ndërlikimet. Nëse i keni mbushur të 40-at mjeku sugjeron të kryeni të paktën një eko apo një elektrokardiogramë  për të parë gjendjen e zemrës suaj.

“Çdo njeri të paktën duhet të ketë bërë një vizitë midis moshës 40 deri 50 vjeç, e mira është ta bëjnë dhe më parë sepse sot po shohim gjithnjë një ulje të moshës të pacientëve që kanë probleme në zemër dhe unë nuk dua  e nuk do të doja të dëgjoja më njerëz që arrijnë me krenari në moshën 70 vjeçare dhe thonë unë skam bërë  asnjëherë asnjë vizitë, është hera e parë që shkoj tek mjeku. Kjo është diçka që duhet të zhduket nga kultura jonë.  E rithem nga veriu në jug ekzistojnë të gjithë mundësitë në spitalet shtetërore për të bërë vizita për zemrën për të parë në çfarë niveli jemi”.

Trashëgimia, mënyra e jetesës dhe sëmundje si diabeti dhe hipertensioni sipas mjekëve po ndikojnë në shtimin e personave që vuajnë nga zemra.   Ndërsa shqetësime të tilla ata thonë se  nuk duhen neglizhuar.

“Çdo marrje fryme, dhimbje gjoksi  mbi 45- 50 vjeç duhet marrë seriozisht dhe duhet përjashtuar zemra e para. Trashëgimia, sigurisht  faktor rreziku është dhe duhani, diabeti, mosbërja e aktivitetit fizik dhe këtë kulturë se kemi të shpërndarë dhe një dietë jo e bazuar në yndyrë”.

Në mbarë botën zemra zë vendin e parë për sëmundshmërinë, por edhe humbjet e jetës në popullatë. Në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë vetëm vitin e shkuar janë paraqitur 1900 urgjenca kardiake./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!