Problemet kardiake, janë edhe një prej shkaqeve kryesore të humbjes së jetës. Në ditën botërore të zemrës, apeli për kontrolle periodike të këtij organi vjen nga specialistët.
Mjeku kardiolog i spitalit Hygeia Gert Knuti thotë se ekzaminimi në kohën e duhur i problemeve kardiake bën të mundur parandalimin e sëmundjeve të rënda.
“Si për sëmundjet e tjera, ashtu edhe për sëmundjet e zemrës kuptohet qartë që parandalimi nëpërmjet kontrolleve rutinë apo periodike…është mjaft më efikas sesa ndërhyrja në kushtet e urgjencës. Apo ndërhyrja në kushtet e urgjencës, apo në kushtet e një sëmundjeje të acaruar që i kufizon mundësitë e mjekësisë që të arrihen ato rezultate të dëshiruara.”
Pandemia e Covid-19, ka qen një faktor i cili ka ndikuar në shtimin e këtyre problemeve. Mjeku tregon se ankthi dhe stresi ndikojnë në problemet kardiake, sidomos tek personat që kanë sëmundje ekzistuese.
“Sensibilizmi vjen për më tepër në një moment të vështirë për të gjithë botën duke pasur parasysh pandeminë që është akoma në zhvillim e sipër. Shkaktoi përveç problemeve shëndetësore edhe probleme të mëdha për sa i përket gjendjeve të ankthit, stresit roli i të cilave në shkaktimin e sëmundjeve kardiake është i njohur. Si rrjedhim, siç u vlerësua pandemia, ashtu vlen të vlerësohen të gjitha sëmundjet që bashkëjetojnë me infeksionin e Covid-it..”
Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Sipas statistikave, rreth 17 milionë njerëz humbin jetën në vit si pasojë e sëmundjeve kardiake. /abcnews.al/