“Diskriminohem vetëm se jam si ju”, Nevzat Luftiu: Apeloj ambasadorët ta kenë në axhendë çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

schedule20:30 - 9 Shtator, 2024

schedule 20:30 - 9 Shtator, 2024

TIRANË- Gjatë diskutimit në “Real Story”, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzat Luftiu u pyet nga gazetari Sokol Balla, se sa e ndihet përkrahja politike e vendeve të rajonit, ku faktori shqiptar është element shtetformimi.

 “Mbështetja nga Tirana nuk ju ka munguar, e megjithatë a ndjeheni ju që jeni në fokus të vëmendjes së kryeqyteteve politike shqiptare në rajon”, kësaj pyetje, Luftiu iu përgjigj se sigurisht që faktori shqiptar e ka përjetuar këtë përkujdesjeje. Sipas tij, ka ardhur koha që Kosova dhe Shqipëria ta hartojnë një strategji kombëtare, përmes së cilës i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai shtoi se shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të diskriminuar për shkak të përkatësisë etnike. Në kuadër të kësaj, ai përmendi mosnjohjen e diplomave të studentëve dhe pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

E para, më vjen jashtëzakonisht mirë që si Komb po e diskutojmë një temë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe sa i përket kësaj teme, ekziston një konsensus dhe një vullnet i kombit tonë që të integrohemi në Bashkësinë Ndërkombëtare, në bashkësinë europiane, por para se të përgjigjem, do shpjegoj pozicionin tim sepse unë vij nga një realitet, vij nga një mjedis, një sistem që është dhe e kundërta dhe kultivon një atmosferë kundër asaj që sot po e diskutojmë sot në panel. Është fjala për Serbinë. Në Serbi janë 24 komunitete që jetojnë, asnjë komunitet nuk i ka problemet e dhe sfidat që i ka komuniteti shqiptar. Dhe kjo ndodh vetëm për një arsye, vetëm për shkak të përkatësisë tonë etnike. Unë sot, nuk vij nga një moment normal sepse me 12 gusht ne patëm një protestë të cilën e kemi quajtur  ‘protesta për identitet dhe dinjitet’ sepse atje po shkelen të drejtat e njeriut dhe normalisht që kjo po ndikon në një spastrim të pastër etnik që po ndodh atje. Normalisht që e ndjejmë mbështetjen dhe fokusin e Shqipërisë, ju e dini se Kosova tashmë ka ndarë një fond për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që në mënyrë të drejtpërdrejtë po ndikon në përmirësimin dhe ruajtjen e substancës kombëtare. Por ajo që dua të them është se kemi një fokus të veçantë edhe të shtetit shqiptar. Këtu më duhet të përmend një angazhim shumë të madh të ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, që përtej lidhjes institucionale kemi krijuar një lidhje vëllazërore dhe kjo pastaj po e lehtëson bashkëpunimin tonë dhe po arrijmë më lehtë të trajtojmë interesat tona. Por, unë besoj që është koha që Kosova dhe Shqipëria ta hartojnë një strategji kombëtare, përmes së cilës i qasen interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sepse e them me përgjegjësi, shqiptarët në Serbi dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti sot janë ndërgjegjja e kombit shqiptar. E thash edhe në fillim atje diskriminimi po ndodh për shkak të përkatësisë tonë etnike. Imagjinoni jemi në vitin 2024, në shekullin XXI, studentëve tanë nuk i njihen diplomat. Jemi në vitin 2024, në shekullin XXI, pasivizohen adresat. Një qytetar i pasivizuar do të thotë një qytetar I humbur dhe kjo ndodh në një hapësirë që gjeografikisht është Europë. Në shkurt të vitit 2024, PE votoi një rezolutë, normalisht me mbështetjen e shtetit shqiptar, që e dënoi pasivizimin e adresave, sidomos ndaj komunitetit shqiptar që jeton në jug të Serbisë, por Serbia nuk e ngadalësoi çështjen e pasivizimit, po është me hov të madh duke e realizuar këtë proces sidomos tashmë në komunën e Bujanovcit. Ky proces ka arritur që t’i defaktorizojë shqiptarët në komunën e Medvegjës, ndërsa tash jemi duke i defaktorizuar shqiptarët në komunën e Bujanovcit. Ajo që dua të them është që, në fakt nuk guxoj ta them, por nuk kam, nuk kam .. uroj që mbështetja e Kosovës dhe e Shqipërisë, të mos jetë tepër vonë sepse nga nxënësit të cilët kemi qenë në shkollë fillore, në klasën time, vazhdoj vetëm unë të jetoj në Luginë të Preshevës. Nga gjimnazi ndoshta 4 ose 5″, tha ai.

Të ndodhur përballë këtyre sfidave, Lutfiu, duke biseduar me gazetarin Balla, u shpreh se shqiptarët po largohen dhe ky largim nuk ka ngjashmëri me largimet që ndodhin në Shqipëri apo dhe Kosovë.

Absolutisht po! Dhe nuk është niveli i emigrimit që unë e quaj trend, që po ndodh në Kosovë dhe Shqipëri, por është për shkak për mungesës së perspektivës. Sepse imagjinoni, në institucione tonë që veprojnë në Luginë të Preshevës për shkak te centralizimit që e ka bërë Serbia, në Preshevë, drejtori i shtëpisë së shëndetit është serb dhe i liron kuadrot shqiptarë ndërsa sjell nga kuadro nga qytete të tjera të Serbisë. Pra, me dhjetëra të diplomuar në Tiranë, injorohen ndonëse i plotësojnë të gjitha kushtet ndërkohë sjellin kuadro nga qytete të tjera të Serbisë. Prandaj po e them këtë, cfarëdolloj mbështetje që na vjen, uroj që të mos jetë shumë vonë. Dua të përmend edhe një fakt. Ne kemi një pjesëtar të komunitetit tonë që është pjesë e diplomacisë shqiptare, është Valoni, e falenderoj ministrinë por unë besoj që duhet të kemi më shumë Valon në diplomacinë shqiptare, në mënyrë që kudo në botën në Europë, të diskutohet për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Shfrytëzoj rastin edhe të bëj një thirrje, psh në mesin tonë sot e kemi Dastidin që përkundër misionit të vet si diplomat shqiptar, ka një angazhim të jashtëzakonshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës në shtetin ku punon. I bëj thirrje edhe ambasadorëve të tjerë, përfaqësuesve të tjerë që ta kenë në axhendën e tyre çështjen e shqiptarëve të Luginës  së Preshevës, sepse është ndërgjegjja e kombit shqiptar sot, unë diskriminohen vetëm se jam si ju. Fati jonë është që jetojmë në një ambient ku jetojmë. Jetojmë në një ambient ku po i bëjmë ballë Botës për të mos i vendosur sanksione Rusisë. Jetojmë në një vend ku Radoiçiç është qytetar i lirë, madje biznesmen në atë hapësirë. Jetojmë në një vend që edhe si mendësi nuk është i interesuar në asnjë moment që të integrohet në BE, por si komunitet jemi jashtëzakonisht të interesuar që të ndihmojmë Serbinë të integrohet në BE”, tha ai.

Për tri ditë radhazi, në Tiranë, zhvilloi punimet Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë “Diplo 2024”, e cila u organizua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjatë punimeve të saj, të cilat nisën më 26 dhe përfunduan me 28 gusht, u nënvizua rëndësia e integrimit të aftësive dhe përvojave të ndryshme në shërbimin tonë diplomatik. Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj./ abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!