Komisioni i Etikës dhe Disiplinës së FSHF-së ka nxjerrë së fundmi vendimet e saj për javën që lamë pas dhe në vëmendje ishte padyshim dhuna në Shënkolli-Sopoti.
Lojtari i Shënkollit, Bledi Zefi, i cili sulmoi arbitrin gjatë ndeshjes, është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha aktivitetet e futbollit të organizuara nga FSHF-ja.
Sa i përket klubit, Shënkolli është dënuar me gjobë 200 mijë lek dhe humbjen e sfidës në tavolinë me rezultatin 3-0. Gjithashtu skuadra do t’i duhet të luajë katër sfida në fushë asnjanëse. /i.m /abcnews.al
Vendimet e Disiplinës:
- KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
- Lojtari i FC Dinamo, Bakary Goudiaby, për shkelje të parimeve Fair Play duke fyer me shenja ofenduese spektatorët, në bazë të nenit 13/2/b të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Erzeni, Durim Keçi,për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/c të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF, deri në përfundim të dënimit.
- FC Lushnja, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
- Zyrtari i FC Lushnja, Marius Sula, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i FK Tomorri, Gelando Sharavaolli, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i AF Elbasani U-21, Fabjan Tartari, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Egnatia U-21, Posada Guerra Jose Luis, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KS Korabi U-21, Ertigen Shehu, për sjellje josportive ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Shënkolli, Bledi Zefi, për sulm dhe dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes midis KF Shënkolli kundër KF Sopoti, në bazë të nenit 3/d, 6/2/c, 13, 14/1/l, 32, 59 dhe 77 të KDE, përjashtohet përgjithmonë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike të organizuara nga FSHF.
- KF Shënkolli, për dhunën e ushtruar ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes midis KF Shënkolli kundër KF Sopoti, në bazë të neneve 6/3/d, 8/1, 16/1 dhe 17/1/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
KF Shënkolli detyrohet të zhvillojë 4 (katër) ndeshje të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë Grupi A, në fushë asnjanëse. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- KS Albanët, për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes, në bazë të neneve 16/1 dhe 17/1/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- Lojtari i KF Maliqi, Devis Mecollari, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i KF Skënderbeu U-19, Mateo Burimi, për pështymje ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE, dënohet me 15 (pesëmbëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Zyrtari i KF Skënderbeu U-19, Klejdi Larti, për proteste ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/c të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i Akademia e Futbollit U-19, Noel Aliaj, për sulm fizik ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Lojtari i FC Labëria U-16, Fatjon Sinaj, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtarë, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
- Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Iliria, Adolf Selmani, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDS, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.