Dy skuadrat e Madridit e patën shumë të vështirë në Kupën e Mbretit në Spanjë. Kritikat janë të shumta pas humbjes së Realit dhe eleminimit të Atletikos.
Ishte një mesjavë e vërtetë futbolli. Jo rrallë ndeshjet e kupës fshijnë çdo lloj hierarkie dhe kështu ndodhi në Spanjë, me dy festa të skuadrave të vogla, që i shkaktuan disfatë klubeve të mëdhenj të Madridit. Reali ia doli që të kualifikohej për në çerekfinale, por pësoi një humbje aspak dinjitoze në fushën e Leganjesit, me shifrat 0-1.
Mungesa e Karim Benzemasë u ndje, pasi francezi nuk luajti për shkak dëmtimi, ndërsa Isco është shumë larg nivelit të mëparshëm, pavarësisht talentit të madh. Nëse i shtohet këtyre, dëmtimi i Bale dhe largimi i Cristiano Ronaldos, atëherë kuptohet më mirë gjendja e madrilenëve.
“Ishim të dobët në Leganes, – pranoi Solari, – sidomos në pjesën e parë. E vërteta është se nuk kemi lojtarë sa duhet, dhe sidomos kemi problem në sulm”.
Pavarësisht problemeve, pakkush priste një nivel të tillë ndaj Leganesit.
“Marka”: Katastrofë! Atletiko eleminohet në të tetat e finaleve nga Girona! Madridi kalon, por sërish jep një imazh të keq!
“AS”: Bomba e madhe plasi në “Uanda”! Simeone: Preferoj të luaj keq dhe të fitoj! Reali, Kejlori dhe askush tjetër!
Siç lexohet edhe në gazeta, Atletiko e pësoi më keq se Reali, pasi u eleminua.
Në një ndeshje thuajse të çmendur, tipike prej Kupe, bardhekuqtë barazuan 3-3 me Gironën, dhe nuk arritën dot në çerekfinale pas rezultatit të përgjithshëm, 4-4. Edhe pse Atletiko nuk quhet ende një superfuqi si Reali apo Barça, sërish prej saj pritej më shumë. Aq më tepër, me shpenzimet e shumta që I kanë dhënë mundësi trajnerit Diego Pablo Simeone që të luajë futboll më të bukur.
“Ka raste, – tha trajneri, – kur luan mirë dhe eleminohesh. Unë preferoj të luaj keq, por që të fitoj gjithnjë. Ishte ndeshje e vërtetë e kupës, e bukur. Përgëzime Gironës që nuk u dorëzua kurrë, ndërsa ne dhamë gjithçka, ndaj nuk mund t’i kritikoj lojtarët”.
Pas kësaj që hoqën dy ekipet madrilene, edhe Barcelona nuk është e qetë.
“Barça, me të gjitha forcat për të përmbysur në Kupë”, shkruan gazeta “Sport”.
Katalanasit luajnë në “Camp Nou” ndaj Levantes, ndërsa e kanë humbur 1-2 ndeshjen e parë./abcnews.al