Dirigjentja Suzana Turku: Greva e vitit 2000 zyrtarizoi hakmarrjen ndaj artistëve!

schedule23:24 - 22 Qershor, 2022

schedule 23:24 - 22 Qershor, 2022

Nga Refleksione

Dirigjentja e Korit, Suzana Turku, nuk e fsheh kënaqësinë teksa përmend emra të ish-nxënësve të saj, si Inva Mula e Genc Tukiqi, që promovojnë muzikën shqiptare në shumë skena botërore. E ftuar në “Refleksione” në ABC, Turku ka rrëfyer se muzika e disa prej emrave më të rëndësishëm të muzikës shqiptare i ka mbijetuar kohës, edhe pse ka qenë nën vëzhgimin e rreptë ideologjik gjatë diktaturës.  “Përmbajtja në kohën e diktaturës i detyronte të prodhonin muzikën sipas shijeve ideologjike. Por ata i kanë shprehur ndjenjat, fantazinë, shkrimin e tyre,  që sërish mbetet muzikë që mund të dëgjohet me kënaqësi. Çez Zadeja, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi janë nga ata muzikantë që sot mund të luhen në të gjitha skenat, jo vetëm në Shqipëri. Ferdinand Deda është gjithashtu një nga dirigjentët më të mëdhenj shqiptarë, që ka drejtuar dhe prodhuar muzikë që i reziston kohës”, tha Turku, duke hedhur propozimin e gjetjes së rrugëve që edukimi muzikor të jetë një preokupim kombëtar.

Dirigjentja e Korit në Teatrin e Operas dhe Baletit për shumë vite, ka rrëfyer edhe se si nisi udhë kori “Pax Dei” që për vite solli në skenë muzikën e ndaluar me sfond fetar. ” Në vitin 1993 isha e ftuar në Amerikë, ku kam studiuar edhe kanton gregoriane, muzikën fetare, paraklasike dhe të shekullit XX. Nga atje mendova që sapo të kthehem në Shqipëri, ta vë në skenë këtë lloj muzike që ishte e ndaluar në Shqipëri deri në vitin 1990″, ka kujtuar Suzana Turku në “Refleksione”.  Kështu,  24 koristë, nisën më 7 korrik 1993 një rrugë me një repertor  që ishte ndaluar  për dekada nga rregjimi komunist dhe me autorë, muzika e të cilave nuk ishte lejuar për t’u ekzekutuar më parë.  “Ishte një koncert i pritur në ovacione. Pax Dei krijoi një traditë jo vetëm për muzikën fetare, por edhe për muzikën tradicionale shqiptare. Çesk Zadeja është një nga ata autorë të rëndësishëm që ka shkruar enkas për korin tonë”, tha Turku.

Ndërkaq, dirigjentja nuk ka harruar të kujtojë grevën e artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit në vitin 2000, kur  u pushuan nga puna, të gjithë drejtuesit kryesorë artistikë, pasi nuk ranë dakord me ligjin për artin skenik. “Ajo hakmarrje ekziston deri më sot në Teatrin e Operas dhe Baletit. Pas pushimit nga puna, në vendet tona u vu një tabelë ku na ndalohej të hynim në Opera. Madje, kjo hakmarrje mbeti në fuqi deri sot”, tha Turku, duke kujtuar se ajo ishte një goditje ndaj kulturës shqiptare. “Por, unë gjithnjë kam menduar dhe besuar se, kur më mbyllet një derë,  më hapet një derë tjetër”, tha dirigjentja Suzana Turku në “Refleksione”. Ajo shtoi se, mbetet gjithnjë në favor të përfshirjes së artistëve në politikë, pasi, sipas saj, ata zbusin ambientin politik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!