Shërbimi sekret rus kishte përgatitur një plan për arratisjen e themeluesit të portalit Uikiliks nga Britania. Xhulian Asanzh jeton prej vitesh në ambasadën e Ekuadorit në Londër, nga frika e dërgimit në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për publikimin e sekreteve shtetërore.
Diplomatët rusë në Londër hartuan vitin e kaluar një plan sekret për të mundësuar arratisjen e themeluesit të Wikileaks, Xhulian Asanzh, nga Mbretëria e Bashkuar. Asanzh jeton prej 6 vjetësh i strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, pasi i druhet ekstradimit në Shtetet e Bashkuara, të acaruara me të për publikimin e mijëra dokumenteve sekrete përmes portalit të tij. Sipas së përditshmes britanike, fillimisht aleate e Wikileaks për publikimin e kabllogrameve, por më pas armike për shkak të përfshirjes në skandalin “Russiagate”, ideja e diplomatëve rusë ishte ta fshihnin Asanzh në një mjet diplomatik që mund të shmangte kontrollet dhe më pas ta kalonin atë në një vend tjetër.
Plani ishte përgatitur në vigjiljen e Krishtlindjes së vitit 2017, por më pas rusët hoqën dorë për arsye të paqarta. Ndërsa burimet e “The Guardian” kanë refuzuar të identifikohen, burime nga Moska kanë mohuar prerë çdo hipotezë për ekzistencën e një plani të tillë. Përveç se publikoi materialet diplomatike të administratës së mëparshme amerikane, Xhulian Asanzh akuzohet se bashkëpunoi me shërbimin sekret rus për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Sipas mediave amerikane, Asanzh u kaloi rusëve materiale që kompromentonin figurën e Hillari Klinton e që përflitet se përfunduan në duart e Donald Trump./abcnews.al