Diplomatët e SHBA-së dhe BE-së në zyrën e Bashës

schedule15:31 - 25 Qershor, 2019

schedule 15:31 - 25 Qershor, 2019

Diplomatët më të larteë të ambasadave të SHBA dhe BE në Tiranë, shkuan sot në zyrën e Lulzim Bashës, 5 ditë para zgjedhjeve tëe së dielës. Vetë kreu demokrat tha pas takimeve se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve në 30 Qershor, por deklaroi se nuk ka porositur akte dhune.

Nxiton për të qenë gati në takimet me ndërkombëtarët.

E para që mbërrin në selinë e Partisë Demokratike me një dosje në duar është e ngarkuara me detyrë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses Ones.

Për afro një orë e gjysmë ka folur me shefin e opozitës për ditët e mbetura nga zgjedhjet vendore të 30 Qershorit për të cilat po përgatitet mazhoranca socialiste.

Pasi përcolli përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara priti ambasadorin e delegacionit evropian Luigi Soreca.

60 minutat e qëndrimit në zyrën e kryetarit demokrat nuk u komentuan nga askush prej tyre.

Por u kujdes vetë Lulzim Basha që të rrëzonte çdo pretendim se axhenda e opozitës  ka ndryshuar mbi zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Shumë pak njerëz e kanë kuptuar këtë. Më 30 Qershor nuk ka zgjedhje. S’ka rëndësi çfarë mendon kryeministri”, tha Basha.

Mbetet ende e paqartë se si do t’i ndalojë opozita zgjedhjet ndonëse, kreu demokrat nuk pranon të ketë porositur skenarë dhune.

“Natyrisht që është një prodhim i mercenarëve mediatikë të Edi Ramës që paguhen me paratë që iu jepen qytetarëve. Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze”, tha Basha.

Aktivititete të paligjshme po kryhen anembanë Shqipërisë Kryeministri Edi Rama me mitingje dhe prezantime të kandidatëve për zgjedhje të rrëzuara nga dekreti i një Presidenti. Kështu e pasqyron fushatën elektorale të Partisë Socialiste Lulzim Basha sipas të cilit 30 Qershori ka vetëm një mision.

“30 Qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratiko-kriminal i Edi Ramës”, tha Basha.

Partia Demokratike vazhdon përgatitjet me organizimin e aleancës qytetare për të bërë realitet deklaratat e përsëritura prej afro 5 muajsh.

“Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen”, tha Basha./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!