Ambasadorët e NATO-s janë takuar të enjten në Budapest, teksa rriten shqetësimet për lidhjet e Hungarisë me Rusinë, pas bisedimeve në mes të kryeministrit hungarez, Viktor Orban me presidentin rus, Vladimir Putin, më herët gjatë javës.
Ambasadori amerikan në Hungari, David Pressman, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se diplomatët kanë “shqetësime për sigurinë” lidhur me “thellimin e lidhjeve” në mes të Rusisë dhe Hungarisë, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, shkruan REL.
Ambasadorët, përfshirë një përfaqësues të Suedisë – vend që pret të anëtarësohet në NATO – janë mbledhur në kryeqytetin hungarez, disa ditë pasi Orban është takuar me Putinin në një forum në Kinë, ku kanë diskutuar për bashkëpunim bilateral lidhur me gazin natyror dhe transportim të naftës së papërpunuar.
“Është shqetësuese që Hungaria ka vendosur të kontaktojë me Putinin në këtë mënyrë”, ka thënë Pressman.
“Ne e shohim Hungarinë si aleate, mirëpo në të njëjtën kohë se e shohim që Hungaria është duke i thelluar lidhjet me Rusinë, pavarësisht luftës së saj brutale me Ukrainën”, ka shtuar ai.