Në një lëvizje tepër të pazakontë, diplomatët amerikanë kanë hartuar dy kabllograme me të cilat dënojnë nxitjen e sulmit vdekjeprurës ndaj Kapitolit nga presidenti Donald Trump, dhe bëjnë thirrje që zyrtarët e administratës të mbështesin aktivizimin e amendamentit të 25-të, për ta hequr atë nga detyra.
Duke përdorur atë që njihet si “kanali i mospajtimeve” të Departamentit të Shtetit, pjesëtarët e shërbimit të jashtëm thanë se druajnë që zhvillimet e së mërkurës së kaluar mund të dëmtojnë keq besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara për të promovuar dhe mbrojtur vlerat demokratike jashtë vendit.
“Dështimi për ta mbajtur përgjegjës presidentin, do të dëmtonte më tej demokracinë tonë dhe aftësinë tonë për të përmbushur në mënyrë efektive qëllimet tona të politikës së jashtme,” thuhet në njërin nga kabllogramet që u shpërndanë midis diplomatëve në fund të javës së kaluar dhe më pas u dërguan në udhëheqjen e Departamentit të Shtetit.
Kabllogramet janë një protestë e jashtëzakonshme kundër një presidenti në detyrë nga diplomatët amerikanë, të cilët janë ankuar prej kohësh që administrata Trump e ka injoruar dhe zhvleftësuar rolin dhe ekspertizën e tyre. “Kanali i mospajtimeve”, zakonisht përdoret për të kundërshtuar vendime të caktuara të politikës së jashtme. Dy kabllogramet e fundit duket të jenë të pashembullt në fushëveprimin e tyre dhe cilësimin e presidentit si një rrezik për vendin.
Kabllogramet gjithashtu pasqyrojnë zemërimin me përgjigjen ndaj trazirave nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo, një aleat besnik i presidentit Trump.
Sekretari Pompeo e ka dënuar dhunën në Kapitol, por nuk e përmendi në mënyrë të qartë rolin që luajti presidenti Trump në nxitjen e mbështetësve të tij që sulmuan ndërtesën. Sekretari Pompeo nuk ka trajtuar pasojat dhe as nuk e ka pranuar që diplomatët amerikanë jashtë shtetit tani mund të përballen me vështirësi të reja në promovimin e demokracisë.
Nuk është e qartë se sa diplomatë i kanë nënshkruar kabllogramet, të cilat janë parë nga agjencia e lajmeve Associated Press.
Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar kabllogramet.
“Është thelbësore që Departamenti i Shtetit të denoncojë qartë rolin e presidentit Trump në këtë sulm të dhunshëm ndaj qeverisë amerikane”, thuhet në kabllogramin e parë, në të cilin theksohet se komentet e vet presidentit nuk duhet të përdoren “pasi ai nuk është zë i besueshëm për këtë çështje”.
“Ashtu siç denoncojmë në mënyrë të vazhdueshme udhëheqësit e huaj që përdorin dhunën dhe frikësimin për të ndërhyrë në proceset paqësore demokratike dhe për të shkelur vullnetin e votuesve të tyre, deklaratat publike të departamentit në lidhje me këtë episod duhet gjithashtu të përmendin presidentin Trump me emër. Është kritike që ne t’i komunikojmë botës se në sistemin tonë, askush – madje as presidenti – nuk është mbi ligjin ose i mbrojtur nga kritikat publike”.
“Ky do të ishte një hap i parë drejt riparimit të dëmtimit të besueshmërisë sonë ndërkombëtare”, thuhet në kabllogram. “Kjo do të lejojë fanarin e demokracisë të shkëlqejë, pavarësisht nga ky episod i errët. Ai gjithashtu do të dërgojë një mesazh të fortë për miqtë dhe kundërshtarët tanë se Departamenti i Shtetit zbaton një frymë të integritetit dhe standardeve objektive kur dënon sulmet ndaj demokracisë në shtëpi ose jashtë vendit”.
Kabllogrami i dytë shkon më tej, duke kërkuar që sekretari Pompeo të njohë shprehimisht zgjedhjen e presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe të dënojë veprimet e presidentit Trump. Në të thuhet gjithashtu që sekretari Pompeo duhet të mbështesë çdo përpjekje nga nënpresidenti Mike Pence dhe anëtarët e tjerë të Kabinetit për të aktivizuar amendamentin e 25-të për të hequr presidentin Trump nga detyra./VOA