Dino Zoff kundër Kupës së Botës në tre kontinente: Kështu e humbet vlerën

schedule16:51 - 5 Tetor, 2023

schedule 16:51 - 5 Tetor, 2023

“Një Kupë Bote e futbollit e përhapur në tri kontinente dhe gjashtë vende (kombe) më duket e çuditshme. Nëse ka një arsye, mund të jetë përpjekja për të përfshirë botën, por vazhdon të më duket e çuditshme”.

Dino Zoff, kampion bote me Italinë në vitin 1982, refuzon zgjedhjen e FIFA-s për ta caktuar edicionin e Botërorit 2030 në Spanjë, Portugali dhe Marok, me ndeshjet inauguruese në Amerikën e Jugut.

“Unë jam i vjetër, – vazhdon Zoff për “AdnKronos”, por Kupa e Botës e përqendruar në një vend më dukej e drejtë. Nëse tani zgjedhin ta përhapin atë nëpër botë, vetë Kupa e Botës humbet vlerën e saj. Besoj se duhet të ketë gjithmonë një epiqendër zhvillimi të saj”.

Sipas FIFA-s, të luash në tri kontinente dhe gjashtë vende është “një ftesë për të gjithë botën për t’u bashkuar në festimin e lojës së bukur, me rastin e 100-vjetorit të Kupës së Botës”.

Konkretisht, kombëtaret pjesëmarrëse në atë edicion do të duhet të lëvizin mes Marokut, Portugalisë dhe Spanjës, ndërsa ceremonia e festimit të 100-vjetorit është planifikuar në Montevideo të Uruguait, ku u zhvillua Botërori i parë në vitin 1930, Argjentinë dhe Paraguai./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!