Dinamo ka nisur merkaton dhe ditën e sotme ka zyrtarizuar afrimin e një sulmuesi të spikatur në Kategorinë e Parë. Artion Alillari lë Pogradecin për herë të parë dhe do të veshë fanellën blu. Sulmuesi shënoi 13 gola sezonin e shkuar dhe kjo nuk kaloi pa u vënë re dhe Dinamo që ka pretendime të tjera për sezonin e ardhshëm e mori menjëherë.
“Dinamo e presidentit Pontrelli bën një goditje të madhe në merkato! Sulmuesi pogradecar Artion Alillari, një prej golashënuesve të grupit B dhe i liqenorëve në sezonin e kaluar, sot është zyrtarisht i Dinamos.
Lojtari është ndjekur që prej muajit Janar, duke qenë edhe një dëshirë e madhe e presidentit. Nëndetësja kështu largohet nga ankorimi dhe fillon të lundrojë për të arritur qëllimin e saj!
24-vjeçari Alillari i ardhur nga Pogradeci, sezonin e fundit si titullar i padiskutueshëm, shënoi 13 gola dhe 10 asist duke qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin. Ai vjen si lojtar me premisa të mëdha dhe si një vlerë e shtuar në sulmin Blu. FK Dinamo i uron mirëseardhjen dhe i uron suksese me fanellën dinamovite”, shkruan klubi dinamovit në njoftimin e bërë. /abcnews.al