KLOS– Policia e Klosit ka zbardhur ngjarjen e mbrëmjes së djeshme, ku u gjet i vrarë me thikë 65-vjeçari Selim Velsula.
Për këtë krim është arrestuar Hazbi Velsula, kushëri me viktimën. Autori i dyshuar i krimit, thotë Policia, u arrestua në Allias.
Sipas policisë, autori dhe viktima fillimisht janë konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas 32-vjeçari e ka goditur me thikë 65-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen.
Autori pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait të tij në Allias.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u gjet pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë të ftohtë (thikë), shtetasi S.V. Vihet në pranga autori i vrasjes. Autori u kap në mesnatë nga shërbimet e DVP Tiranë, në Allias.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi Selim Velsula., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen.
Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Hazbi Velsula., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e ftohtë (thikë), që dyshohet se është përdorur nga autori.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

