Mbretëria e Bashkuar mund të hyjë në një urgjencë të furnizimit me gaz në dimër për shkak të luftës në Ukrainë, tha të hënën rregullatori i energjisë i Mbretërisë së Bashkuar Ofgem.
Ofgem i bëri komentet në përgjigje të një kërkese të kompanisë energjetike SSE, të cilët shqetësohen se në rast emergjence të furnizimit me gaz, do të mbeten pa para nëse goditen me gjoba të mëdha për të mos qenë në gjendje të japin energji elektrike.
“Për shkak të luftës në Ukrainë dhe mungesës së gazit në Evropë, ekziston një rrezik i konsiderueshëm që mungesa e gazit mund të ndodhë gjatë dimrit 2022/23 në Britaninë e Madhe. Si rezultat, ekziston mundësia që Britania e Madhe të hyjë në një emergjencë të furnizimit me gaz”, tha Ofgem në një letër.
“Ky dimër ka të ngjarë të jetë më sfidues se dimri i mëparshëm për shkak të ndërprerjes ruse të furnizimit me gaz në Evropë”, tha një zëdhënës i Ofgem për CNN.
“Britania është në një pozicion të mirë me pak import të drejtpërdrejtë të gazit nga Rusia; prodhimi ynë vendas i gazit; furnizime të besueshme nga Norvegjia; dhe kapaciteti i dytë më i madh i portit në Evropë për të importuar gaz të lëngshëm. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të përgatitur për të gjithë skenarët këtë dimër”, shtoi zëdhënësi i Ofgem.
Ofgem tha se ata po vendosin masa të ndjeshme emergjente për të siguruar që sistemi energjetik i Mbretërisë së Bashkuar të jetë plotësisht i përgatitur për këtë dimër. /abcnews.al