Përballë rritjes së çmimeve të energjisë, vendet e BE-së po marrin masa për të lehtësuar qytetarët. Në të njëjtën kohë, në nivel evropian priten vendimet e takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë më 9 shtator, si dhe deklaratat e presidentes së BE-së Ursula von der Leyen më 14 shtator në lidhje me propozimet e Komisionit Evropian për vendosjen e një tavani mbi çmimet e energjisë.
Gjatë takimit të jashtëzakonshëm, do të shqyrtohen propozime të tilla si vendosja e një tavani për çmimin e gazit të përdorur për prodhimin e energjisë elektrike ose ndërhyrjet për të parandaluar keqfunksionimet e tregut, siç shpjegoi në fillim të kësaj jave ministri çek i Industrisë Jozef Sikela.
Masat që po marrin vendet e BE
Nga ana tjetër, Italia po përpiqet të përballojë rritjen e vazhdueshme në sektorin e energjisë me një sërë masash.
Qeveria e kryeministrit italian Mario Draghi ka miratuar që nga fillimi i vitit ndihma urgjente për familjet dhe bizneset e vendit, në total pesëdhjetë miliardë euro. Ndër të tjera, ai uli taksat shtetërore për karburantet me tridhjetë cent për litër, miratoi rimbursimet e taksave për bizneset që konsumojnë një sasi të madhe gazi natyror, si dhe uljen e TVSH-së në 5% për faturat e gazit dhe energjisë elektrike të dërguara për tridhjetë milionë familje dhe gjashtë milionë ndërmarrje tregtare.
Presidentin francez Emmanuel Macron ka deklaruar “fundin e bollëkut dhe pakujdesisë’. Franca po përgatitet për atë që pa dyshim do të jetë një dimër i vështirë, ku askush nuk mund të parashikojë përmasat e vështirësive.
E vetmja gjë që është e sigurt është se reaktorët bërthamorë francezë do të punojnë tani e tutje “me kapacitet të plotë”. Vetëm se kjo ka të bëjë me gjysmën e atyre që ekzistojnë në vend, pasi gjysma tjetër janë jashtë funksionit për arsye mirëmbajtjeje.
Ndërkohë, qeveria federale austriake dhe qyteti i Vjenës ranë dakord pak ditë më parë për të shpëtuar, me një linjë kredie prej të paktën 2 miliardë euro deri në prill, ofruesin më të madh të energjisë në vend, Wien Energie, në mënyrë që të mos prishet siguria energjetike e rreth 2 miliona banorë të kryeqytetit.
Ulja e TVSH-së për energjinë në 6% në baza të përhershme u vendos javën e kaluar nga qeveria belge, me qëllim uljen e faturave të konsumatorëve dhe bizneseve. Kjo masë fillimisht u miratua në mënyrë të përkohshme në mars 2022. /abcnews.al