Dimri i vështirë, BSH: Energjia elektrike rrezik për ekonominë shqiptare

schedule16:07 - 29 Shtator, 2022

schedule 16:07 - 29 Shtator, 2022

Nga Erblina Mile

Energjia është  kthyer në një rrezik serioz për ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Banka e Shqipërisë thekson në raportin e Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë të këtij viti se  nëse kriza energjetike do thellohet  kjo  do të jetë një problem për gjendjen financiare të bizneseve dhe qytetarëve.

Sipas Bankës së Shqipërisë  në këtë situatë është e domosdoshme që të merren masa për zbutjen e goditjes ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë. Klodion Shehu, drejtor i departamentit të Stabilitetit Financiar thotë se sistemi financiar është  i qëndrueshëm por sfidë mbetet çmimi i lartë i energjisë elektrike.

“Periudha që jemi përmban disa sfida të rëndësishme. Nëse kjo do të vazhdojë mund të jetë problematike për gjendjen financiare të bizneseve dhe familjeve.”

Banka e Shqipërisë sugjeron përshpejtimin e zbatimit të projekteve që synojnë zgjerimin dhe diversifikimin e burimeve të brendshme të prodhimit të energjisë. Ekspertët parashikojnë një dimër të vështirë në aspektin energjetik ndërkohë që çmimet e energjisë pothuajse janë 4-fishuar në krahasim me fillimin e këtij viti. Ndërkohë që rreth 49 mijë familje duke nisur nga 1 tetori do ta paguajnë energjinë më shtrenjtë nëse tejkalojnë fashën 800 kWh. /abcnews.al