“Dimri i kriptomonedhave” po thellohet, ndërsa Bitcoin vijon rënien e ndjeshme në tregjet globale.
Eksperti i kriptomonedhave, Shahin Dokuzi, i ftuar në “Money Report” në ABC News, renditi një sërë faktorësh politikë, ekonomikë dhe psikologjikë që kanë ndikuar në humbjen e besueshmërisë dhe luhatjet e forta të tregut.
Sipas tij, ndërhyrjet politike, spekulimet, normat e interesit, si edhe zhvillimet ndërkombëtare, po e shtyjnë kriptomonedhën më të madhe në një pikiatë që pritet të vijojë edhe në periudhën në vijim.
“Vetë presidenti Trump ka bërë dëmin më të madh me kriptomonedhën e tij. Uli besueshmërinë. Që me ardhjen e pushtetin e tij dhe bleu të gjithë kriptomonedhat, 80 fishoi pasurinë e tij brenda pak ditësh dhe dëmtoi qindra qytetarë. Ka qenë një lojë e Trump për zgjedhjet presidenciale. Faktorë të tjerë, të gjithë e dimë që valutat nuk kanë një treg të saktë, ecin me spekulime.
Kemi normalisht edhe normat e interesit, duan që të investojnë në normat e interesit dhe jo në bitcoin. Një ndikim kanë pasur edhe efektet psikologjike. Dosja “Epstein” është një tjetër faktor që po ndikon në luhatjen e kriptomonedhave. Kina është përgatitur që të nxjerrë një tjetër monedhë, që synon të zëvendësojë dollarin amerikan.
Nëse të gjitha monedhat e tjera mund të zhduken, Bitcoin është shumë e vështirë që të zhduket, është një nga monedhat më të qëndrueshme në treg. Do të ishte një kaos shumë i frikshëm që mund të shkaktohej në tregje. Mund të kemi një rënie në vazhdim”, tha Dokuzi.


