Dimitrov – Kotzias – Nimitz takohen javën e ardhshme për emrin

schedule13:13 - 8 Shkurt, 2018

schedule 13:13 - 8 Shkurt, 2018

Javën e ardhshme do të ketë sërish një takim mes ministrave të jashtëm te Greqise dhe Maqedonise për një raund të ri negociatash për cështjen e emrit. Ndërkohë kryeministri Maqedonas zoran Zaev deklaroi se nuk do të ketë ndryshime të kushtetutës maqedonase.

Mediat maqedonase shkruajnë se negociatat me Greqinë po intensifikohen. Kryeministri, Zoran Zaev konfirmoi se javën e ardhshme do të ketë një takim të ri në nivel ministror në kuadër të procesit për negociata nën ndërmjetësimin e Methju Nimiçit duke shtuar se nuk do të ketë ndryshim të Kushtetutës së vendit. Ai theksoi se kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës në bisedimet për emrin është qëndrim grek, por Maqedonia ka qëndrimin e saj. Zaev shtoi se Shkupi dëshiron të ndërtojë miqësi, dhe nga ai aspekt, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Rreth paralajmërimëve nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Koxias, se po përgatit një draft version të marrëveshjes ndërkombëtare, Zaev tha se Maqedonia është e gatshme të shfrytëzojë gjithçka që ekziston si mundësi për zgjidhje, sepse negociatat duhet të përfundojnë me arritje të marrëveshjes ndërkombëtare.

Pas ndryshimit të emrit të aeroportit të Shkupit, mediat greke nuk e përjashtojnë mundësinë që shefi i diplomacisë greke të vizitojë Shkupin. Koxias shprehi dëshirë të jetë i pari nga Athina, që do të vinte në Shkup me avion, por megjithatë nuk ka konfirmim.

Dhoma britanike e lordëve, ndërkaq, kërkoi nga Qeveria në Londër që të angazhohet që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s pa marrë parasysh nëse do të zgjidhet çështja e emrit me Greqinë./abcnews.al