Përhapja në masë e koronavirusit i ka mbyllur njerëzit në shtëpitë e tyre. Izolimi në shtëpi vazhdon, ashtu si edhe vdekjet e përditshme, por shpresa është e madhe që kjo pandemi do zhduket shumë shpejt. Ajri po pastrohet, natyra po “ringjallet” dhe shumë kafshë po i afrohen qyteteve.
Edmond Lutaj, i cili jeton prej shumë vitesh në Stokholm të Suedisë, është surprizuar shumë ditën e djeshme. Ish-mesfushori i Flamurtarit, provoi ta drejtojë dhe si trajner skuadrën e zemrës (1 gusht-6 dhjetor, 2011), ka shijuar një pamje të rrallë përpara shtëpisë së tij, ngjarje që e ka ndarë me miqtë e shumtë në rrjetet sociale.
“Duke dalë nga shtëpia në mëngjes për të vajtur për në punë, më priste një dre para garazhit. Shqiptari brenda meje më tha të merrja çiften, ndersa suedezi brenda meje më foli në vesh dhe më tha se toka që jetojmë u përket të gjithëve.
Si mendoni, kush triumfoi? Zëri i shqiptarit brenda meja apo i suedezit? Për ju që bëheni kuriozë të dini se si veprova unë, ju rekomandoj të shikoni një film në Netflix, që quhet THE GAME CHANGER . Mbasi të keni parë filmin, do ta kuptoni se si veprova unë. Filmi është shumë interesant”, shkruan Lutaj. /abcnews.al