Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Dilema e përjetshme e emigrantit politik:Të qëndroj apo të iki?

schedule10:07 - 7 Nëntor, 2022

schedule 10:07 - 7 Nëntor, 2022

Nga Ian Buruma “Project Syndicate”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Nuk është tamam e qartë se sa rusë janë larguar nga vendi i tyre që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës. Disa thonë më shumë se 1 milionë, të tjerë japin një shifër më të ulët. Por numrat absolutë mund të jenë më pak të rëndësishëm sesa cilësia e shumë prej atyre që largohen nga vendi.



Pasi ata janë ndër rusët më të arsimuar: shkrimtarë, informatorë, gazetarë, kineastë, muzikantë, akademikë, aktorë, etj. Disa largohen sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Gazetarët që ishin kritikë ndaj luftës si Yevgenia Albats, redaktore e “The New Times”, duhej të iknin për të shmangur arrestimin me akuzën e “përhapjes së lajmeve të rreme” apo të qenit “agjentë në shërbim të të huajve”.

Të tjerët largohen sepse e shohin si të papërballueshme jetën brenda Rusisë së Putinit. Olga Smirnova, prima balerina e Baletit Bolshoi, ka emigruar në Amsterdam të Holandës. Ajo tha se “nuk do ta kishte menduar kurrë” se një ditë do t’i vinte “turp për Rusinë”, teksa theksoi se lufta e bëri të pamundur qëndrimin e saj.

Qindra mijëra të rinj u larguan përpara “mobilizimit të pjesshëm” që shpalli në shtator presidenti Vladimir Putin, në vend se të rrezikonin të dërgoheshin për të luftuar në një luftë që nuk e donin kurrë. Një miku im në Moskë më tha se njerëzit që kishin një shans të largoheshin dhe që tani e kanë bërë këtë, ishin më të shumtë se ata që zgjodhën të qëndronin.

Por disa nga figurat e shquara që kundërshtojnë luftën e Putinit janë ende në Rusi për të gjitha llojet e arsyeve: nuk duan të braktisin familjet e tyre; nuk shohin një mënyrë për ta vazhduar punën askund tjetër; duan të dëshmojnë në vetën e parë atë që po ndodh në vendin e tyre.

Gazetari i pavarur Dmitry Muratov deklaroi: “Ne do të punojmë këtu derisa tyta e ftohtë e armës të prekë ballin tonë të nxehtë”. Por zgjedhje të tilla nuk janë asnjëherë të lehta. Njerëzit në kohë të tjera dhe vende të tjera, si Gjermania naziste apo Kina komuniste, janë përballur me një dilemë të ngjashme.

Nëse largoheni jashtë, rrezikoni të bëheni të parëndësishëm në vendin tuaj, por edhe një mysafir i padëshiruar atje ku shkoni. Nëse qëndroni, mund të futeni në burg, apo më keq të eliminoheni fizikisht. Shpeshherë ata që ikin kritikohen dhe etiketohen si frikacakë apo tradhtarë, ndërsa disidentët që qëndrojnë në vend bllokohen si nën një morsë midis fuqive të huaja dhe qeverisë së tyre.

Rusët që e duan vendin e tyre, por që e urrejnë luftën e Putinit, gjenden në të njëjtin pozicion si gjermanët patriotë që i urrenin nazistët. Ata kanë shumë pak miq. Zgjedhja midis qëndrimit dhe largimit, provokon pa një vetë-drejtësi të madhe nga të gjitha anët.

Ata që janë të sigurt jashtë vendit, të mbrojtur nga brutaliteti i luftës dhe diktaturës, këmbëngulin që ata që kanë qëndruar duhet ta shfaqin kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë. Në një konferencë të mbajtur së fundmi në Riga të Letonisë, ish-kampioni botëror i shahut dhe aktivisti politik Garry Kasparov deklaroi se rusët që duan të jenë “në anën e duhur të historisë duhet të bëjnë gati valixhet dhe të largohen nga vendi”.

Ata që nuk e bëjnë këtë tani, tha ai, “janë pjesë e makinerisë së luftës”. Regjisori Kirill Serebrennikov u përndoq nga qeveria ruse për vite me radhë, por nuk pranoi të largohej derisa lufta rezultoi të ishte pika që derdhi gotën. Ai u ndal edhe tek problemin i të qenit një rus që e kundërshton me efektivitet Putinin: “Kjo luftë po kryhet nga një president dhe nga politikanët për të cilët unë nuk kam votuar, por në sytë e shumë njerëzve edhe pse padashje, unë jam bashkëpunëtori i tyre”.

Thomas Mann, shkrimtari më i famshëm gjerman i kohës së tij, u largua nga Gjermania naziste sapo Hitleri u ngjit në pushtet në vitin 1933. Me një grua hebreje dhe pikëpamje që do të kishin çuar në arrestimin e tij, ai nuk kishte zgjidhje tjetër.

Sulmet e tij të ashpra ndaj regjimit të Hitlerit u transmetuan gjatë luftës në BBC. Pas luftës, Mann pretendoi se të gjithë gjermanët ishin të njollosur nga krimet naziste. Ai besonte se edhe shkrimtarët që kishin qëndruar në vend dhe kishin mbajtur kokën ulur ishin të kompromentuar.

Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga shkrimtarë si Frank Thiess, që nuk ishte nazist, por kishte zgjedhur të qëndronte në Gjermani. Ishte ai që shpiku frazën “emigracion i brendshëm” për intelektualët që e ruanin veten për të qëndruar larg telasheve.

Njerëz si Mann, deklaroi Thiess, kishin qenë frikacakë, dhe ata u kishin kthyer shpinën bashkatdhetarëve të tyre të përvuajtur. Thiess shkoi më tej duke deklaruar se ata që qëndruan kishin treguar më shumë guxim.

Ai foli për shumë gjermanë që qëndruan, dhe nuk i fali kurrë ata, si Mann apo yllin e filmit Marlene Dietrich, që u larguan. Përçarja e madhe midis njerëzve që duhet të ishin të rreshtuar në të njëjtën anë, por që bëjnë zgjedhje të ndryshme, është një nga triumfet e regjimeve shtypëse.

Pasi ajo e dobëson akoma më shumë mundësinë e kundërshtimit. Sa herë që qeveria kineze liron nga burgu disa disidentë të njohur, dhe i lejon ata të emigrojnë në Perëndim, njerëzit nxitojnë t’i përshëndesin gjeste të tilla si një fitore e të drejtave të njeriut. Në fakt, ky lloj dëbimi është një mënyrë efikase për të hequr qafe kritikët, që së shpejti do të harrohen në vendin e tyre.

Çmimi i lirisë jashtë vendit, është shpesh të bërit një jetë të vetmuar si kritikë inatçorëve të njerëzve që lanë pas. Eksodi i njerëzve më të arsimuar të Rusisë, mund të jetë një ndihmë për institucionet shkencore, artistike dhe akademike në Perëndim. Dhe sigurisht që ai do të dëmtojë perspektivat ekonomike afatgjata të Rusisë.

Por ndoshta nuk do t’i hapë shumë probleme Putinit, për sa kohë që mund të qëndrojë në pushtet. Rusët që do të qëndrojnë në vendin e tyre, do të vuajnë pasojat afatgjata të militarizmit të Putinit, madje ndoshta edhe më shumë se ukrainasit që po mbajnë tani peshën kryesore të luftës.

Sikurse u shpreh Ilya Kolmanovsky, një gazetar i famshëm i çështjeve të biologjisë dhe shkencës, që u largua përfundimisht nga Rusia pikërisht për shkak të luftës “me kalimin e kohës, njerëzit do të kuptojnë se pushtimi i Putinit ishte gjithashtu një sulm ndaj Rusisë”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!