Dikur deputete e PD, Lajla Përnaska tregon pse vendosi të garojë për Bashkinë e Tiranës me siglën e PDIU

schedule11:48 - 31 Mars, 2023

schedule 11:48 - 31 Mars, 2023

Dikur ishte deputete e Partisë Demokratike, por Lajla Përnaska do të garojë në zgjedhjet lokale të 14 majit për Bashkinë e Tiranës, me siglën e Partisë Drejtësi, Intregrim dhe Unitet (PDIU), e kryesuar nga Shpëtim Idrizi.

Në një intervistë për ABC News, Përnaska u shpreh se e mori vendimin për të garuar, pasi i njeh mjaft mirë problematikat që ka sot Tirana dhe se e gjithë karriera e saj ështëe  lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin e saj.

Ndër të tjera, Përnaska nënvizoi se do të garojë me siglën e PDIU, pasi gjeti dakordësinë me lidershipin e kësaj force politike.

“Shtysa kryesore është duke qenë para një fakti që, unë si shumë të tjerë kam zgjedhur të jetoj në Tiranë dhe nuk kam dashur asnjëherë të bëj gati valixhet për t’u larguar nga vendlindja ime dhe nga qyteti ku paraardhësit e mi në breza kanë vendosur të jetojnë, dhe duke qenë në radhë të parë banore e Tiranës, unë edhe në gjithë angazhimin dhe me CV-në time, asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk kam bërë zgjedhjen për të qenë indiferente ndaj realitetit ku unë jetoj. Pikërisht, kjo lloj qasjeje që unë kam dhe vokacioni, në raport me gjithë mjedisin social, ekonomik, politik rreth meje, më ka shtyrë prej kohësh që të përfshihem në jetën e shoqërisë civile, pastaj në jetën politike. E gjithë karriera që kam realizuar deri sot, është një karrierë që lidhet drejtpërdrejt me Tiranën, edhe me gjithë zhvillimin e kryeqytetit.

Kam fituar dy mandate si deputete, në qarkun e Tiranës, më konkretisht në lagjen time, në njësinë numër 2. Në vazhdimësi kam ndjekur problemet e zonës, por edhe më gjerë. E gjithë kjo përvojë, mendoj se është e rëndësishme për ta vënë në dispozicion të kësaj gare elektorale. Ka nevojë për kontribute dhe alternativa nga secili prej nesh. Duke zbatuar ligjin që ne kemi në fuqi, ligjin elektoral, të ofron mundësinë edhe kandidimin si e pavarur, por ka më shumë procedura. Gjeta dakordësinë me lidershipin e PDIU-së, për të marrë mbështetjen e tyre për procesin e regjistrimit”, theksoi ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!