TIRANË- Shqipëria prej kohësh ka qenë nën sulmet e vazhdueshme kibernetike, ndërsa përgjegjësitë i ka marrë grupi i hakerave “Homeland Justice”. Krahas institucioneve, hakerat kanë kryer sulme edhe ndaj bankave të nivelit të dytë.
Deniz Deralla, drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, i ftuar në “Sheshi i Dollarit” tha se bankat kanë ndryshuar kuadrin rregullativ, me qëllim për t’i bërë ballë sulmeve të tilla.
“Bankat janë target i sulmeve, hakerimeve gjithmonë, pasi natyra e tyre i tërheq këto sulme. Si Bankë e Shqipërisë, kemi përmirësuar kuadrin rregullativ për të siguruar që mbrojtja ndaj këtyre sulmeve do jetë në nivel maksimal. Fakti që bankat kanë qenë sërish subjekt sulmesh, por nuk ka ndodhur asnjë humbje apo ndërhyrje e konsiderueshme tregon se masat e marra kanë funksionuar, por ne duhet të jemi alert dhe në duhet të jemi në të njëjtin hap, sepse s’mund të them një hap para, me atë të sulmuesve ndaj nesh. Ligji i ri do të krijojë edhe hallkat të reja, të cilat do jenë funksionale shumë shpejt”, tha ai./ n.m.abcnews.al