Nga Ardjana Mile
Është diga më e vjetër në Shqipëri, por edhe ndër më të lashtat në Ballkan ndodhet në luginën e lumit Gjanicë, në fshatin Kraps të Fierit.
Diga antike të Krapsit mendohet se është ndërtuar 2 mijë vjet më parë.
Për ta gjetur, nuk është e lehtë, nuk ka tabelë që të tregojnë vendndodhjen. Kërkimin ta bën të vështirë edhe bimësia, që mbulon gjurmët e digës.
Së bashku me arkeologun Bashkim Vrekaj ecëm gjatë në fushën e fshatit Kraps dhe ja dolëm e gjetëm.
Këto rrënoja i përkasin digës antike të Krapsit, të shekullit të dytë pas Krishtit. Sipas studiuesve kjo digë ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike për faktin se dy mijë vjet në fushën e Myzeqesë bujqësia ka që shumë e zhvilluar për aq kohë sa përdorte vepra të tilla hidrike.
Studimet mbi këtë objekt kaq të rëndësishëm historik, tregojnë se diga e Krapsit ka qenë një vepër hidrike, që përdorej për vaditjen e të gjitha tokave të Myzeqesë deri në Apoloni.
U ndërtua në një zonë me potencial shumë të madh arkeologjik.
“Ka qenë një digë e mirëfilltë me gjatësi 133 metra, me gjerësi në pjesën e poshtme me 4.7 metër dhe lartësi 8 metër. Themi pjesën e poshtme, pasi vinte në formë trapeze për të dobësuar goditjen e ujërave. Ka qenë e ndërtuar me gurë të formave të ndryshme dhe të lidhura me llaç. Më pas u vesh me blloqe guri të lidhura me ganxha hekuri për të krijuar stabilitet. Siguronte një rezervuar të madh për rreth 1 milionë metër kub ujë. Kishte tre dritare shkarkim të ujit, duhet të ketë pasur dhe porte shkarkim në pjesën e sipërme të saj”, tha arkeologu Bashkim Vrekaj.
Sot kjo digë e mbuluar nga bimësia, jo vetëm që nuk shërben për vaditje, por nuk është as në shërbim të turistëve.
“Duhet të ruhej në atë gjendje, të konsolidohej, të restaurohej në mënyrë të tillë që të ishte një monument i vizitueshëm sepse është i rrallë. Fatkeqësisht është lënë pas dore. Duhet të pastrohet ambienti të identifikohet aq sa ka ngelur të konsolidohet kjo që ka ngelur se do na ikë dhe kjo se më pas do themi ka qenë dikur këtu po s’ka më digë.
Diga e Krapsit është 1 nga 21 objektet e trashëgimisë kulturore, që ndodhen sot në territorin e Bashkisë së Fierit dhe nga më të rëndësishmit për nga vlerat historike./abcnews.al/