Diell dhe temperatura të larta, si parashikohet të jetë moti në fundjavë

schedule09:14 - 29 Mars, 2024

schedule 09:14 - 29 Mars, 2024

Kthjellime, kalime të pakta vranësirash dhe temperatura deri në 28 gradë. Kështu parashikohet të jetë moti gjatë kësaj fundjave në vend. Meteorologu Hakil Osmani thotë se ndonëse do të ketë kalime vranësirash, nuk pritet që të ketë reshje. Temperaturat deri në 28 gradë pritet të shënohen të dielën.

“Të shtunën do të kemi rënie të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit, duke bërë që minimumet në zonat malore të jenë rreth vlerës 3 gradë ndërsa maksimumet do të kenë rritje deri në 26 gradë celcius. Deri në orët e mesditës do të kemi dominim të kthjellimeve në të gjithë territorin, pasditja sjell kalime të lehta vranësirash, të cilat do të jenë më të dukshme në zonat malore por mbrëmja do të rikthejë sërish kthjellimet në një pjesë të mirë të territorit. E diela do të sjellë paradite kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash, të cilat në pjesën e dytë të ditës, do të bëhen më të dukshme, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit të dielën do të kenë rritje që në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale të regjistrohen në 4 gradë ndërsa maksimumet do të shkojnë shumë pranë vlerave 28 gradë. Sa i përket parametrit të erës, e shtuna në pjesën e dytë rtë saj dhe të dielën, pritet të ketë erë të fortë me shpejtësi në 70 km/orë, duke bërë që herë pas here të jetë problematikë për trafikun detar.”, u shpreh Osmani.

Sa i përket vendeve të rajonit, ai tha:

“Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi sot edhe gjatë fundjavës parashikohen që të jenë në dominimin e kthjellimeve, kalimeve të lehta të vranësirave, më të dukshme në pjesën e dytë të së dielës por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit, duke filluar nga sot dhe përgjatë fundjavës, do të kenë rritje, duke bërë që vlerat minimale në qytetet e Kosovës si Mitrovica apo Ferizaj 4 gradë ndërsa maksimumet në Gjakovë dhe Prizren do të ngjiten në shumë pranë vlerave 25 apo 26 gradë. Në MV temperaturat e ajrit në orët e para të mëngjesit të së dielës pritet të jenë rreth vlerës 4-5 gradë në Gostivar dhe Kumanovë ndërsa në Shkup maksimumet shkojnë në rreth 27 gradë celcius.”, shtoi meteorologu. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!