Dialogu Prishtinë-Beograd në Bruksel, BE-ja bën gafën e madhe, e cilëson Kurtin si lider të partisë opozitare në Kosovë

schedule12:19 - 18 Gusht, 2022

schedule 12:19 - 18 Gusht, 2022

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke zhvilluar sot në Bruksel takimin zyrtar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç  nën praninë e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndonëse takimi Vuçiç-Kurti është një nga më të rëndësishmit që po zhvillohet midis dy liderëve, personat që menaxhojnë faqen zyrtare të BE-së në internet duket se nuk i  kanë bërë  mirë detyrat e shtëpisë, pasi e cilësuan Kurtin si lider të partisë opozitare në Kosovë.

Lexo edhe: Nis takimi Kurti-Vuçiç, shefi i BE-së: Ka ardhur koha drejt normalizimit të plotë

Në njoftimin e zyrtar në faqen e BE-së për takimin e dy liderëve, Albin Kurti është cilësuar si lider i opozitës kosovare dhe jo si kryeministër i vendit.

“Takimi i dialogut Prishtinë-Beograd. Takim dy palësh me Albin Kurtin liderin e opozitës kosovare”, thuhet në njoftimin e faqes zyrtare të BE-së.

Por me sa duket menaxhuesit e faqes e kanë kuptuar gabimin dhe e kanë ndryshuar menjëherë njoftimin me një të përditësuar, ku shkruajnë se “është duke u zhvilluar takimi Beograd-Prishtinë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar  sot në Bruksel, pas më shumë se një viti nga takimi i tyre i fundit, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në takim  do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Takimi ka nisur në orën 10:30.

Gjatë takimit do të trajtohen gjithashtu çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të mbajë një deklaratë për mediat.

Deklarata nga Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BE-së dhe do të publikohet në faqen e internetit të (EEAS).

Ndërkohë në prag të takimeve në Bruksel, Kryeministri i Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, takuan të martën më 16 gusht përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Në fokus të takimit ishin edhe takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të

Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë

/abcnews.al/